Dita e sotme ka qenë historike për Iranin, sepse për herë të parë prej vitit 1980 femrat u lejuan të ndjekin një ndeshje në stadium. Rreth 300 femra u futën në stadiumin Azadi për të ndjekur miqësoren Iran-Bolivi, ndeshje që do të mbahet mend pikërisht për këtë eveniment.
Ka vite që Irani mundohet të bëjë diçka për demokratizimin e shoqërisë dhe këtë verë u hodh hapi i parë, sepse ndeshja e Kupës së Botës Iran-Spanjë u planifikua të transmetohej në ekrane gjigantë në Azadi Stadium në Teheran dhe hyrja për femrat do të ishte e lirë.
Më pas ndeshja nuk u transmetua, për shkak të problemeve me infrastrukturën, sipas shpjegimit të dhënë nga autoritetet, por askush nuk u mërzit. Pavarësisht lajmërimit që nuk do kishte transmetim në stadium, mijëra njerëz shkuan në stadium dhe fotot e videot bënë xhiron e botës, sepse tifozë e tifoze qëndronin para stadiumit, ndërsa policia kishte bllokuar hyrjen.
Më në fund, pas një radhe të gjatë dhe një orë pritjeje, policia hapi rrugë. Dyert e stadiumit u hapën, burra, gra e fëmijë vërshuan brenda dhe të gjithë me telefona në duar regjistronin një moment historik.
Pak më vonë faqja zyrtare e kombëtares së Iranit në Twitter postoi foton e një femre në shkallët e Azadi Stadium, duke mbajtur një flamur të Iranit. “Stadiumi Azadi, tani!”, shkruhej në postimin në Twitter, në gjuhën Farsi.
??????? ?????? ????????! pic.twitter.com/02j1CiBPVq
— Team Melli IRAN (@TeamMelliIran) June 20, 2018
Vendimi i Iranit për të mos lejuar femrat në evenimentet sportive ka ngjallur protesta e debate të ashpra prej shumë vitesh në Iran, por tensioni është rritur para Kupës së Botës 2018.
Më herët këtë vit Irani deklaroi se nuk do të kishte asnjë tolerim dhe rregulli i vendosur pas Revolucionit Islamik në 1979 do të zbatohej. Në mars 35 femra u munduan të futeshin në Azadi për të parë një ndeshje kampionati, por u ndaluan nga policia, por një ditë më vonë presidenti i FIFA-s Xhani Infantino u tregoi gazetarëve se presidenti iranian Hasan Ruhani i kishte premtuar se femrat në Iran do të kishin të drejtë të hynin në stadiume shumë shpejt.
Ndërkaq, në Rusi grupe tifozësh i shfrytëzuan ndeshjet e Iranit për të protestuar kundër ndalimit të femrave në stadiumet iraniane.