“13 veta kundër Nuabuezes”, flet zyrtari i Laçit: Bylisi bëri vetëgjyqësi, ne fituam çmimin e “Fair-Play”

Skena e ndodhur në Ballsh ishte padyshim një kthim mbrapa në kohë për futbollin shqiptar. Teksa skenat e dhunës ishin eliminuar dhe kishim kohë pa parë përleshje, veçanërisht në elitën e futbollit tonë, situata ka agravuar në stadiumin e boshatisur te Bylis-Laçi.

Pra protagonistë kanë qenë lojtarët dhe stafet e ekipeve. Pas sjelljes antisportive të Nuabuezes nuk ka munguar as kundërpërgjigja nga ana e Bylisit për ta kthyer fushën në arenë dyluftimi. Ndërkohë menaxheri i kurbinasve, Dario Pali, i cili ishte i ftuar në emisionin “Pressing” ka vendosur theksin te dëshira për të bërë vetëgjyqësi që kishte ekipi i Bylisit.

“Klubi vendosi të dënojë Nëabueze. Do flas më specifikisht, isha në stadium. Ky lloj incidenti e kishte një arsye. Sa herë luan Laçi atje ka shumë presion. Lojtarët e Bylisit, 15 minutat e para në çdo faull shkon të gjithë tek arbitrit. Ndoshta e keqmenaxhoi, duke mos e ulur ritmin e tyre. Nuk lejohet as me protokoll sanitar, maksimumi shkon kapiteni për ndonjë rast. Gjithë kohën shkonin tek ai dhe nuk kishte asnjë të verdhë.

Arbitri e keqmenaxhoi, ishte pa eksperiencë. Ndoshta jo qëllimisht, por ishin dy penallti që bënin që situata të mos shkonte në atë pikë. Gjithë ndeshjen është sulmuar, sharjet kanë qenë prezente. Janku dhe Carkanji e kanë ofenduar gjithë kohën, madje ka pasur edhe goditje pas shpine. Ne e kemi marrë vendimin ndaj tij, e kemi dënuar.

13-14 vetë që ishin kundër Nëabueze. Dëgjoj zëvendëstrajnerin e Bylisit që thotë që kam shkuar të ndajë, por është i pari që e godet. Ata e godasin poshtë, serbi, dhe një pjesëtar tjetër, zëvendëstrajner a mjek, çfarë është. Ata e kanë vënë poshtë dhe e godasin.

Klubi i Bylisit të mos bënte vetëgjyqësi, t’ia linin organeve ta dënonin Nëabueze. Nuk kanë pasur probleme kur kanë ardhur tek ne, kur shkojmë ne atje ndodh ndryshe. Nëabueze e kishte të akumuluar, e provokojnë në çdo ndeshje.

Klubi ynë është distancuar nga gjestet antisportive, kemi pezulluar lojtarë edhe për në stërvitje. Jemi pro futbollit të bukur. Vjet fituam çmimin ‘fair play’ dhe nuk ishte rastësi. Ia kemi lënë organeve të vendosin për Nëabueze”, u shpreh Pali. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *