Kurbinasit janë gati për sezonin e ri, sot pritet të bashkohet me grupin Nika dhe Gjoni
Sezoni i ri pritet të ketë një rivalitet shumë të madh. Të gjitha skuadrat janë forcuar ndjeshëm dhe pjesa më e madhe e skuadrave kanë si objektiv pjesën e sipërme të tabelës. Laçi është një nga skuadrat që synon që këtë edicion të rikthehet në nivelet e larta, për të pretenduar pse jo dhe një vend në Europë. Përgatitjet kanë nisur prej kohësh dhe stafi teknik është i kënaqur me merkaton që është bërë. Bardhezinjtë kanë qenë një nga skuadrat e para që kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri dhe janë stërvitur në mënyrë intensive për të qenë në 100% që në fillim të sezonit të ri. Gjatë përgatitjeve të verës, Laçi ka zhvilluar 12 takime miqësore dhe trajneri Stavri Nica ka pasur mundësinë që të shohë gjendjen e skuadrës së tij herë pas here, por dhe të provojë elementë të rinj.
RIKTHIMET
Sot pritet që me skuadrën të bashkohen dhe Ansi Nika me Englantin Gjonin. Si mesfushori dhe mbrojtësi kanë vuajtur dëmtime të lehta, që kanë kaluar tashmë dhe janë plotësisht gati për t’u bashkuar me skuadrën. Të dy këta futbollistë kanë munguar në dy testet e fundit miqësore. Një tjetër mungesë është ajo e portierit Gentian Selmani, i cili është në grumbullim me Shpresat e Shqipërisë dhe do të bashkohet me grupin nesër, pas ndeshjes së sotme me Islandën.
Miqësoret e Laçit
Teuta – Laçi 1-3
Liria – Laçi 3-0
Lushnja – Laçi 0-0
Kamza – Laçi 1-2
Laçi – Vllaznia 0-0
Egnatia – Laçi 2-1
Kastrioti – Laçi 1-1
Iliria – Laçi 2-2
Tirana – Laçi 0-1
Dinamo – Laçi 0-4
Kastrioti – Laçi 2-0
Kamza – Laçi 0-1