“11 gladiatorë në fushë”, Qarri e motivoi Kamzën para ndeshjes me një letër

Naim Qarri, presidenti i Kamzës, u shfaq i kënaqur pas ndeshjes që skuadra e tij barazoi me Vllazninë. Për “Sport Ekspres”, shkurtimisht ai deklaroi se e merituan pikën, ndërkohë që shprehu edhe keqardhjen për gjendjen e kuqebluve.  

“Jam shumë i kënaqur, e merituam plotësisht barazimin. Keq më vjen për Vllazninë, por nuk duhet të kishin ardhur deri në këtë ditë. Kishim ardhur për fitore. Është një hap drejt mbijetesës ky barazim. Shpresojmë të ecim mirë në vazhdim. Në dorë të Zotit…”.. Ndërkohë klubi i Kamzës, pas ndeshjes me Vllazninë, ka zbuluar edhe një letër që numri një i klubit u kishte shpërndarë lojtarëve dhe stafit. U kërkonte të ishin gladiatorë dhe në fund ekipi i tij nuk u mposht, sikurse edhe kërkonte presidenti Qarri.

“Të jemi të gjithë të bashkuar për të plotësuar dëshirën e përbashkët, qëndrimin mes më të mirëve. Besimi im është i plotë, si për stafin teknik, ashtu edhe për lojtarët. Nuk ka rëndësi kush është kundërshtari, rëndësi ka besimi brenda grupit tonë, rëndësi ka të shikoni njëri-tjetrin në sy e të thoni: “Ata mund të na mundnin gjithmonë, por jo sot! Sot do të jemi 11 gladiatorë në fushën e blertë. Sot ne do të jemi thjesht të pamposhtur”, shkruhet mes të tjerave në letër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *