Ze Maria: Gati rinovimi me Tiranën, s’ka çështje Turtulli

0

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka mbetur shumë i kënaqur nga fitorja 5-1 ndaj Apolonisë, duke lavdëruar të gjithë…

Trajneri i Tiranës, Ze Maria është i bindur se skuadra e tij ka zhvilluar një ndeshje të mirë përballë Apolonisë. Jo vetëm se ekipi fitoi 5-1 ndaj fierakëve, por sepse bardheblutë kanë ditur të triumfojnë edhe pse kanë pasur shumë mungesa në fushën e lojës. Ja intervista e plotë me Ze Marian.

-Një ndeshje e fituar lehtësisht edhe pse Apolonia ju kishte ndalur disa javë më parë…

-Ndeshjet bëhen të lehta ose vështira, në varësi të vendosjes së ekipit në fushë. Dhe sot (dje), që nga sekonda e parë, djemtë ishin të vendosur mirë në fushë. Reaguan në një lloj forme prej ndeshjes së fundit, ku realisht nuk kam qenë kënaqur me atë që bënë me Tomorin. Të gjithë luajtën mirë, nga i pari tek i fundit. Sigurisht, që bëmë edhe gabime, sidomos në pjesën e parë, apo te goli që pësuam në pjesën e dytë. Një gabim të tillë nuk duhet ta bëjmë më. Një skuadër si jona, nuk mund t’ia lejojë vetes këtë gafë. Do kemi 10 ditë kohë për të punuar dhe mendoj se të gjithë do të jenë gati.

-Ama pesë gola nuk janë pak?

-Golat erdhën prej të gjithëve, nga sulmi dhe mesfusha. Para ndeshjes, e përmenda se kemi 24 lojtarë, që mund të luajnë dhe të gjithë titullarë. Djemtë duhet ta dinë se trajneri nuk ka preferenca, por duhet të punojnë në maksimumin e tyre, që të luajnë. Është shumë e thjeshtë: duhet të përfitosh, nëse të vjen rasti. Këtë bëri Muçi apo edhe të tjerët, ndaj jam i kënaqur.

-Ngo, si është situata e tij?

-Duhet të vlerësojmë ende çështjen e operacionit. Do flasim me doktorët. Nëse është menisku, mendoj se për 20 ditë do të kthehet. Kampionati mbyllet në maj dhe nuk jemi ende as në prill. Ndaj, unë shpresoj, pasi kemi edhe pauzën. Besoj se mund të kemi kohë për ta rikuperuar. Gjithsesi, të shohim, pasi nëse do të operohet është normale që e ka mbyllur sezonin.

-Turtulli sërish nuk ka luajtur. Nga titullar në rezervë?

-Unë nuk e di pse më pyesni gjithnjë për Turtullin?! Nuk e di këtë, pasi të gjithë të tjerët po luajnë mirë. E kanë përfituar më së miri mundësinë e tyre, ndaj jam i kënaqur me ata që janë në fushë. Turtulli është pjesë e skuadrës, si gjithë të tjerët, duhet të presë momentin e tij dhe do ta ketë mundësinë e tij, ashtu siç e kanë pasur të tjerët, që kanë përfituar.

-E ardhmja juaj. Do të qëndroni sërish te Tirana…  

– Diçka kemi folur. Po mundohem që t’i bëj presidentit të kuptojë mënyrën se si dua të punoj unë vitin tjetër, ndaj nuk besoj se do të kemi probleme, që të arrijmë akordin. Unë jam i kënaqur te Tirana dhe me Tiranën, megjithatë duhet të shohim edhe objektivat për sezonin tjetër. Klubi i di të miat, ndaj shumë shpejt do të takohemi për të mbyllur marrëveshjen për mirë apo keq.

-Dënimi i Ngosë në Angli?

Të them të drejtën, unë u befasova nga reagimi i tij në internet. Nuk e di çfarë ka ndodhur, megjithatë lojtari thotë që ka sqaruar gjithçka, ndaj le ta mbyllim edhe ne këtu këtë histori. Të mos i japim rëndësi diçkaje, që vet sulmuesi thotë se e ka zgjidhur që kur ndodhi. Është problem privat i tiji, ndaj nuk kam hyrë në detaje.

– Muçi, sërish dy gola?

-Sulmi bëri mirë, lëvizi pa fund. Më vjen mirë për Ernestin, një lojtar me të ardhme të shkëlqyer. Ai po luan mirë, është një mundësi e mirë për të, sepse është dëmtuar Ngoja.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here