Vjen Mihani, Besa nis përforcimet

Përvoja e mesfushorit 34-vjeçar do t’i ndihmojë shumë kavajasit në lidhje me “regjisurën” e lojës. Priten ardhje të tjera “big” gjatë kësaj jave

Fatmir Efica

Nga eksperienca pozitive në Greqi me Atromitos, te Besa e Kavajës. Për mesfushorin e Meglid Mihani historia duket sa afër aq edhe larg. Nga sezoni 2013-14 Mihani pati nisur një cikël shtegtimi në disa skuadra si Lushnja, Mamurrasi, Teuta, Pogradeci e së fundmi Tomori, ku luajti përgjatë tërë sezonit të kaluar. Fillimisht në këtë skuadër pati trajner Bledar Sinellën, që e gjen tani sërish te skuadra e vendlindjes. Sigurisht që stacioni i vërtetë i karrierës për Mihanin do të ishte po Besa. Me rikthimin e presidentit Nexhat Bizhdili dy javë më parë në krye të Besës, ardhja dhe rikthimi i Mihanit konsiderohej “punë e kryer”. Nuk janë thjesht marrëdhëniet mjaft pozitive të tij me presidentin, por mbi të gjitha është aftësia, përvoja dhe klasi që posedon ky futbollist. 34-vjeçari duket se në këto momente do të marrë përsipër te Besa të bëjë “regjisorin” e lojës. Ndërkohë, gjatë kësaj jave thuhet se do të ketë edhe prurje të tjera që konsiderohen paraprakisht si “big”.  Gjithsesi duhet pritur pak për të mësuar të tjerë emra që mund të rrisin ndjeshëm cilësitë e e Besës në prag të sezonit të ri.

KARRIERA – Meglid Mihani ka luajtur në Kategorinë Superiore dhe të Parë 217 ndeshje dhe ka shënuar 25 gola. Dallohet për luftën e fortë sportive burrërore, teknikën dhe fantazinë, tipare ndër më specifiket për futbollin kavajas. Ka qenë Besa që nga sezoni 2007-08, “foleja” ku Mihani arriti të afirmonte më së miri cilësitë e tij. Mihani ka fituar dy kupa të Shqipërisë më 2007 e 2010 dhe një Superkupë po më 2010. Për afro gjysmën e karrierës së vet te Besa, ai ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Të gjithë e kujtojnë një banderolë shumë të madhe me ngjyrat verdhezi e mbishkrimin “Mihani 23”, që e afishonin fansat kavajas po dhe të tij. Jo vetëm në Kavajë, por edhe në qytete të tjera. Mihani ka mbajtur po numrin 23 në fanellë, duke rënë në sy për kontributet fantastike në skuadrën e vendlindjes së tij. Karierra e Mihanit është mjaft pozitive, ndaj dhe me rikthimin e tij te Besa kavajasit ndjehen padyshim më të fortë. Mundet që sërish Mihani me këtë kontigjent aktual që ka Besa me shumë të rinj, të “gradohet” pak ditë më vonë si kapiteni skuadrës dhe e meriton plotësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *