Turtulli: Respekt, por Tirana i mund të gjithë

0

Olsi Avdiaj

Marvin Turtulli është një nga futbollistët që dy sezonet e fundit te Tirana ka zënë vendin e titullarit. Lojtari që luan në qendër të mbrojtjes, dy sezone më parë la Dinamon për bardheblutë dhe tani është mbrojtësi kryesor i skuadrës. Turtulli foli për sfidën me pogradecarët dhe çfarë pret këtë sezon Tirana e madhe. Mbrojtësi përcaktoi edhe objektivat në këtë sezon, ndërsa thuri elozhe për trajnerin Ze Maria, pasi ish-mbrojtësi i Interit, po bën një punë të shkëlqyer sidomos me futbollistët e prapavijës. 22-vjeçari është shumë i kënaqur që është pjesë e Tiranës, ndërsa shtoi se shumë shpejt do të rikthehet aty ku i takon, pasi ky ishte edhe një nga motivet kryesore që ai vendosi të vazhdonte bashkëpunimin me bardheblutë. Në të kaluarën mbrojtësi ka mbajtur veshur edhe fanellën e Teutës në Superiore edhe pse për vetëm pak kohë.

-Në Pogradec transferta e parë. Marvin, Tirana çfarë pret nga kjo ndeshje?

Për ne është ndeshja e radhës dhe si të tillë po e përgatisim. Ne jemi Tirona, ndaj në fushë zbresim vetëm për të marrë trepikëshin. Asnjë rezultat tjetër nuk hyn në planet tona.

-Keni luajtur më parë në Kategorinë e Parë. Është e vështirë dhe a do të mundohet Tirana për të kaluar në Kategorinë Superiore?

E lehtë jo, por as e parealizueshme. Pastaj qëllimi ynë është i prerë. Ne do bëjmë ndeshjet tona. Vështirësi ka, pasi edhe me Ilirinë e hasëm një gjë të tillë, është e vështirë që të luash përballë 10 mbrojtësve.

-Të ka kërkuar informacion trajneri për Kategorinë e Parë?

Normal, më ka kërkuar informacione, pasi unë kam luajtur rreth tre vite në këtë kategori. Dhe mirë, keq, e njoh.

-Besoj se pengesat për Tiranën do të jenë të shumta?

Ajo që përmenda më lart. Nuk të jepet mundësia për të shprehur aftësitë e tua në futboll, pasi has rezistencën e ekipeve që mbyllen mbrapa. Dhe vështirësia për t’u infiltruar është e madhe. Ne do bëjmë maksimumin, gjithsesi.

-U habitët nga tifozët në ndeshje. Një mesazh për ta?

Ne respektojmë çdo veprim të tifozëve, megjithatë mbështetja e tyre do ishte një “bonus” i madh për ne. Shpresoj që në vazhdim të fitojmë edhe përkrahjen e tyre.

-Turtulli prej kohësh është titullar i padiskutueshëm në ekip?

Nuk është e thënë. Vendimi i mbetet trajnerit. Unë gjithnjë do jap 100% tim në stërvitje dhe në fushë, për të qenë gati dhe merituar një fanellë titullari.

-Ze Maria ka qenë mbrojtës, a po ju ndihmon ju lojtarët e prapavijës?

Shumë, të them të drejtën, pasi ne punojmë shumë në aspektin taktik. Ai ka luajtur në Itali sikundër dihet dhe skemat italiane për mbrojtjes janë të pakalueshme.

-Pogradeci mbetet një “kockë e fortë” në shtëpi?

Pa dashur që të ofendoj Pogradecin, ne nuk do shohim aspak kë do të kemi përballë. Do të mundohemi vetëm që të marrim pikët e plota.

-Objektivi i Tiranës është një vetëm, ngjitja?

Ai është prioriteti, por njëherësh synojmë edhe Kupën e Shqipërisë. Kishim tre objektiva. Një e realizuam, tashmë na mbeten edhe dy.

-Çfarë ndjesie është që të luash për Tiranën?

Është një ndjesi e veçantë, që nuk mund ta përshkruash dot me fjalë. Fakti që vjet skuadra ra, tashmë e ndjejmë si detyrim që Tiranën ta ringjisim aty ku e ka vendit. Këtë plan ka e gjithë skuadra. Dhe ky ishte motivi që unë qëndrova.

 

16 ndeshje ka luajtur sezonin e fundit Marvin Turtulli me fanellën e Tiranës

 

Tirana edhe Ardit Mocovila në skuadër

 

Binguila pritet dita-ditës në Tiranë, pasi ai është përforcimi i fundit i bardhebluve

 

Tirana ka federuar një tjetër lojtar i cili ka dalë në stërvitje me skuadrën. Bëhet fjalë për Ardit Mocovilan. Futbollisti që deri dje ka qenë pjesë e skuadrës së Korfuzit është federuar me Tiranën. Lajmi është konfirmuar nga klubi Tirana, ndërkohë që futbollisti dje ka dalë në stërvitjen e bardhebluve. Lojtari është mbrojtës dhe ka lindur më 15 gusht 1997. Deri më sot ka qenë pjesë e skuadrave nga Korfuzi U-20 dhe Korfuzit të madh. Futbollisti ka kaluar tani te Tirana për të provuar fatin e tij. Aktualisht lojtari luan në qendër të mbrojtjes dhe mund të jetë një përforcim i mirë për ekipin bardheblu. Ai është federuar në vendin e lënë bosh nga Gentjan Muça që vazhdon riaftësimin në Itali dhe kthimi i tij pritet të bëhet vetëm pas janarit. Aktualisht zëvendëskapiteni nuk është federuar me skuadrën në Kategorinë e Parë.

 

Moise nuk përgjigjet, nis gjyqi për ta bllokuar

Moise vazhdon të mos i përgjigjet Tiranës. Futbollisti prej kohësh nuk kontakton me klubin. Ai nuk i përgjigjet kërkesave të bardhebluve dhe në këto kushte, ashtu siç është deklaruar, Tirana ka vendosur ta çojë në gjyq. Moise u largua me dëshirën e vet, premtoi se do të paguante për prishjen e kontratës, por mesfushori tashmë është zhdukur dhe nuk po bëhet i gjallë. Mesfushori anësor, i cili sezonin e kaluar ishte titullar te bardheblutë, ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm, por ka refuzuar të vijë në Shqipëri, duke premtuar se do të gjejë ekip dhe do të paguajë vetë dëmshpërblimin. Te Tirana pretendojnë se ndaj tij janë shlyer të gjitha detyrimet financiare për sezonin e kaluar, ndaj Moise nuk ka asnjë opsion të vlefshëm për të pretenduar prishjen e njëanshme të kontratës. Në këtë mënyrë te Tirana përgatiten për ta çuar në FIFA kongolezin, duke i kërkuar një dëmshpërblim prej 100 mijë eurosh. Pretendime financiare për momentin ka edhe lojtari, edhe pse ky i fundit nuk bëhet i gjallë zyrtarisht, por është shumë aktiv në “Instagram”.

 

Ivan Gvozdenoviçi vizitë te bardheblutë

Ivan Gvozdenoviç sërish zhvillon një vizitë te bardheblutë. Pasi ndoqi nga afër sfidën me Ilirinë, ish-ndihmësi i Josës dhe bardhebluve, dje ishte në “Skënder Halili”. Trajneri u takua me disa nga drejtuesit e skuadrës dhe diskutoi me lojtarët. Kujtojmë që Gvozdenoviçi u largua nga Tirana pas ndeshjeve europiane. Ai pranoi të ishte ndihmës i parë te Kukësi, sesa i katërt te Tirana.

 

Stërvitja, shtangë e forcë në fushë

Vazhdon përgatitja fizike e Tiranës. Trajneri Ze Maria dita-ditës po ngarkon edhe më shumë grupin me ushtrime fizike. Dje në fushë kishin dalë peshat e rënda, duke filluar nga shtangat e deri te ushtrimet e rënda. Janë parë disa lojtarë në vështirësi gjatë ngritjes së peshave, sidomos të rinjtë. Gjithsesi, stërvitja ka vazhduar. Ai që ka munguar dje sërish ishte Erando Karabeci që nuk është stërvitur me ekipin, por mesfushori nuk rrezikon ndeshjen e së dielës me Pogradecin.

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.