“Tirana bëri ca aksione dëshpëruese”, flet Duro: Më vjen keq! Rezultati nuk flet për ndeshjen

Tirana ka mundur Kukësin me rezultatin 1-2 në takimin që u zhvillua në “Air Albania” dhe ishte transfertë për bardheblutë. Të paktën sipas kalendarit të Superiores, pasi në stadium gjendeshin më tepër tifozët kryeqytetas.

Verilindorët kaluan të parët në avantazh pas autogolit të Kristi Vangjelit në minutën e 53, që ishte i pafat në atë devijim. E kur të gjithë e panë takimin si të përfunduar, erdhi edhe përmbysja. Fillimisht do të ishte Teqja që do e linte Kukësin me një lojtar më pak pas dy kartonëve të verdhë. Në atë goditje dënimi, Batha dha një magji të vërtetë duke e ndalur topin në rrjetë. Vetëm dy minuta më vonë ishte Torrasa që e kishte si lojë fëmijësh për të gjetur golin, pasi Kobina e nxori me portën e boshatisur.

Një festë e madhe dhe e papërmbajtur ishte edhe nga trajneri Egbo, që me gishtin drejtuar në qiell, ia faturon vetëm Zotit gjithë këtë mrekulli të ndodhur në pak kohë dhe atëherë kur askush nuk e priste. Tirana kryeson Superioren pas kësaj fitore, duke lënë pas Kukësin me dy pikë larg.

Egbo (Tirana): “Nuk e di nga t’ia filloj, jam pa fjalë. Le ta di e gjithë Shqipëria, gjithë Tirana dhe bota. Është Zoti atje lart që ka bërë gjithçka dhe na dha këtë sukses, lavdia është për të. Zoti e ka bërë punën në kohën e tij, pasi nuk i bën asnjëherë të zakonshme si njerëzit. E ka parë sakrificën e lojtarëve tanë. Situata u ndryshua edhe pas futjes së Ngos. Golin e pësuar nga ne nuk mund ta quaj naiv dhe nuk ishte gafë e Vangjelit, por nisi që në krahun e mbrojtjes që depërtoi lojtari i Kukësit. Partizani? Le t’i lëmë lojtarët sot të qetë dhe nesër futemi sërish në stërvitje. Nuk besoj se do futemi në eufori. Nëse i bëni gjërat e drejta, si duhet dhe i fut lojtarët si duhet, atëherë Zoti i bën gjërat e tij dhe e shikon. I thashë Vangjelit që mos u mërzit, vetëm të vazhdojmë kështu sepse ka besim te vetja”.

Duro (Kukësi): “Ky është futbolli. Ishte një ndeshje që më përjashtim të momenteve të para kemi kontrolluar, shënuar, ishim të qetë dhe mund ta mbyllnim ndeshjen. E shikoja edhe Tiranën që bënte ca aksione dëshpëruese. Pastaj një goditje dënimi dhe ndryshoi historia e ndeshjes. Më vjen keq pasi rezultati nuk flet realisht për takimin e luajtur. Të iki kjo ndeshje në situata të tilla ku Tirana as po na rrezikonte, të na vjen keq. Janë dy ndeshje këto dhe në Ballsh që ndodhi. Sot e kam parë Tiranën të dorëzuar dhe pikërisht për këtë gjë duhej ta mbyllnim ndeshjen. Jo se na kanë bërë gjë, po bravo i qoftë që fitoi në 5 minutat e fundit. Shkurtaj duhej të dilte më parë se ishte i dëmtuar, por unë e vonova ndërrimin duke e shtyrë deri në limite”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *