Tashmë zyrtare, Zeqiri i Kamzës

0

Mesfushori ka udhëtuar së bashku me skuadrën e Ramadan Ndreut për fazën përgatitore që do të zhvillohet në Antalia

Tashmë nuk ka më asnjë dyshim, Hair Zeqiri është zyrtarisht lojtari më i ri i Kamzës për pjesën e mbetur të sezonit. “Sport Ekspres” mëson se vlonjati ka udhëtuar ditën e djeshme me pjesën tjetër të skuadrës drejt Antalias, ku Kamza do të kryejë fazën përgatitore. Për Zeqirin kjo është eksperienca e tretë në Shqipëri, pasi më herët është aktivizuar në radhët e Flamurtarit dhe Kukësit. Kishte kohë që flitej për kalimin e Zeqirit te Kamza, por vetëm ditën e djeshme marrëveshja është mbyllur dhe 28-vjeçari ka nënshkruar me skuadrën e Ramadan Ndreut.  Kamza ka bërë mjaft mirë në 16 javët e para, aq sa për një periudhë ishte në vendin e dytë, por në javët e fundit pësoi një rënie të lirë. Megjithatë diferenca me zonën europiane është vetëm tre pikë, çka i bën drejtuesit të synojnë diçka më shumë se mbijetesa, pavarësisht se objektivi primar është garantimi i pikëve që i sigurojnë qëndrimin matematikisht dhe për edicionin e ardhshëm mes më të mirave. Zeqiri shihet si një goditje për kamzalinjtë, që sigurojnë shërbimet e një prej lojtarëve më të spikatur në Superiore. Aventura e tij me Kukësin nuk shkoi siç duhej dhe divorci erdhi para se të hapej merkato. Në mesfushë tekniku Ndreu nuk ka pasur shumë alternativa, por ardhja e Zeqirit tashmë mund ta kompletojë këtë repart. Drejtuesit e kanë theksuar se do të ruajnë grupin aktual dhe do të afrojnë lojtarët që do të bëjnë diferencën. Zeqiri shihet si fantazisti i munguar te Kamza dhe do të jetë një vlerë e shtuar. Skuadra duket se nuk ka shumë nevojë për ndërhyrje, por largimi i Fushtar i ka bërë drejtuesit që të kërkojnë një qendërmbrojtës në mënyrë urgjente.

Kamza ka udhëtuar mbrëmjen e djeshme drejt Antalias, ku do të kryejë një mini-fazë përgatitore. Të besuarit e Ndreut do të përballen me disa skuadra polake dhe turke, por që do të zbulohen në ditët e ardhshme. Skuadra nuk do të jetë e plotë, pasi disa nga lojtarët nuk kanë udhëtuar së bashku. Kryesisht ata që nuk e kanë kaluar Vitin e Ri në Shqipëri kanë udhëtuar në mënyrë individuale drejt Turqisë. Me skuadrën ditën e djeshme kanë udhëtuar dhe mesfushori Arbër Basha dhe mbrojtësi Alken Agalliu, që mund të konsiderohen pjesë e ekipit për pjesën e dytë të sezonit.

 

SKEDA

Emri: Hair

Mbiemri: Zeqiri

Mosha: 29 vjeç

Vendlindja: Vlorë

Pozicioni: Mesfushor

Karriera

2009 – 2011     Flamurtari

2011 – 2012     Rizespor

2012 – 2014     Flamurtari

2014 – 2015     Kukësi

2015 – 2017     Flamurtari

2017 – 2018     Kukësi

2018 –          Kamza

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.