Notat e Kombëtares/ Balaj dhe kapiteni më të dobëtit, duartrokitje ka për Baren

Franca ka arritur të fitojë me rezultatin 4-1 ndaj Shqipërisë në mbrëmjen e djeshme. “Sport Ekspres” ka nxjerrë edhe vlerësimet e saj sa i përket futbollistëve të Kombëtares nisur nga kjo performancë. Ajo që spikat është padyshim mesatarja e notave të ulëta, por Keidi Bare dallon mbi të tjerët.

Thomas Strakosha (4.5)- I fundit që mund të quhet fajtor në këtë humbje. Kundërshtarët i vijnë me topin te zona dhe shumë afër tij, duke ia bërë të pamundur reagimin. Pëson 4 gola dhe kurrsesi nuk mund të ketë notë të lartë, por as të thuhet një fjalë më tepër. Për gjithëkënd që ka pasur dyshime, ua shuan kur i pret Grizmanit një gol të sigurt me këmbë. E komplimenton edhe vetë ylli i Barcelonës që kishte nisur festën e golit përpara kohës.

Ardian Ismajli(5.5)- Më i miri në mbrojtjen e Shqipërisë. Askush nuk e di saktë sesa ndeshje ka ky lojtar me fanellën e kuqezinjëve. E nis në super nivel që në fillim, teksa me dy ndërhyrje vendimtare shpëton Kombëtaren me topat pas shpinës, përpara se të vinte goli nga Coman. Mban i vetëm gjithë peshën e prapavijës, por ndaj Francës, supozohej se do të ishte një mbështetje për lojtarët më me eksperiencë si Mavraj dhe Gjimshiti. Ndodhi e kundërta, gjithë pesha në shpatullat e tij.

Mërgim Mavraj(4)- Rënie drastike në nivelin që tregon kapiteni. Shkakton një penallti që na dërgonte në kapitullim që në pjesë të parë, por fatmirësisht Grizmani e gabon. Në përgjumje edhe në golin e tretë të Francës, me topin që i kalon mes këmbëve. Qartazi nuk ka shkëlqimin e dikurshëm dhe është zhgënjimi i mbrëmjes.

Berat Gjimshiti(4.5)- Nuk e ka nivelin e Atalantës te Shqipëria. Tek të dyja ekipet luan të njëjtën skemë dhe duhej të ishte futbollisti që të shkëlqente më tepër në prapavijë. Përveç disa ndërhyrjeve që mund t’i ketë me saktësinë e duhur, lë shumë hapësira për kundërshtarët në pozicionin e tij dhe është nën mesatare.

Elseid Hysaj(4.5)- Ndeshje jo e mirë edhe e mbrojtësit shkodran. Sigurisht që i hap Komanit më shumë probleme se Roshi, por nuk është kjo e gjithë puna. Në rolin e tij duhet të nxirrte edhe ekipin para për të kryer punën e plotë. Luan në skuadrën më të mirë, te Napoli, por dëshmon minutazhin e pakët që ka në këmbë. Pasimet janë shpeshherë të gabuara, duke ia falur lehtësisht topin kundërshtarit. Gjithashtu edhe Komani e lë në vend te goli i tretë.

Odise Roshi(4.5)- Si mund të jetë fajtor…një i pafajshëm? Trajneri e vuri në detyra mbrojtëse, Roshi nuk mund të kundërshtonte, kurrsesi. Për Kombëtaren duhet të jesh gjithmonë në fushë, ciladoqofshin urdhërat. Por u pa se Roshi nuk kishte asnjë lidhje me pjesën e mbrojtjes, askush nuk kishte dyshime që nga fillimi. Pika jonë me e dobët në prapavijë, aqsa Deshampi e dërgon Komanin në krahun e Roshit pas çdo spostimi, që ta kishte më elementare. Pastaj kur kalon në sulm, ka një transformim të madh pasi i jep frymë Shqipërisë dhe arrin të driblojë kundërshtarët e kalibrit të lartë.

Keidi Bare(6)- Kur askush nuk e priste, madje as vetë ai, të rikthehesh dhe të luash pas një kohe të gjatë me Kombëtaren, në transfertën ndaj Francës, kjo është e paimagjinueshme. Çdo futbollist tjetër do të gabonte në çdo top, por jo Keidi. I mësuar te Atletiko për përjetimin e këtyre situatave, e merr qetësisht dhe jep më të mirën prej tij. Asnjë frikë kur sheh lojtarët e Francës përballë dhe bën gjithçka mirë, në një mbrëmje që është për t’u harruar te Shqipëria.

Ylber Ramadani(4)– Nëse Klaus Gjasula futet dhe rikthen qetësinë e munguar në mesfushë, atëherë kjo do të thotë se me Ramadanin nuk ka qenë një situatë e mirë. Pikërisht aty ishte edhe sektori që duhej të luftohej më shumë, për të mos i lënë francezët që në çdo organizim të tyren të shkonin deri te mbrojtja e Shqipërisë. Ramadani është në një mbrëmje jo të tijën, pavarësisht dëshirës së madhe dhe lojës së ashpër që praktikon në disa raste.

Amir Abrashi(5)- Kërkohej shumë edhe nga Amir Abrashi, por mos të harrojmë situatën që po kalon te Freiburgu. Asnjë ndeshje e luajtur në “Bundesligë” bën që mesfushori shqiptar të mos nxjerrë më të mirën nga vetja, megjithëse përpiqet për t’u dalluar në fushën e lojës. Në disa raste ia arrin, por në të tjera nuk i lexon situatat në mënyrën e duhur.

Myrto Uzuni (5)- Nuk është një ndeshje që mund të flitet shumë për sulmuesit, por Uzuni e bën deri diku detyrën e tij. Pas çdo topi që merr, nuk provon aventura të kota për të hyrë në driblime dhe për ta humbur sferën, por e kthen te lojtarët që ka më shumë hapësira për të hedhur topa të rrezikshëm në zonën kundërshtare. Nëse një top pasohej te Uzuni, do të rikthehet sërish te lojtarët e Shqipërisë. Në ndeshje të tilla si ajo ndaj Francës, kjo ka një rëndësi shumë të madhe, pasi kundërsulmi pasi një topi të humbur, kthehet edhe në “vrastar”.

Bekim Balaj(4)– Ishte një zgjidhje për Rejën, jo zgjedhje. Pra i vendosur në mes të një situate aspak të përshtatshme për sulmuesit, trajneri italian ishte i detyruar për të aktivizuar Balajn. Por ky i fundit ka një paraqitje shumë të dobët. Nuk arrin të shtyj ekipin para dhe t’i jap frymë mbrojtësave. Pas çdo topi të gjatë nga prapavija jonë, Varane e ka “në xhep”. Gjithashtu edhe te krosimet e Roshit nuk e ka nuhatjen e duhur, duke shkuar në shtyllë të parë, por topi përfundonte pas shpinës së tij. Balaj nuk është me natyrën e Sadikut, për të zgjidhur ndeshjet edhe i vetëm, me një gol të nxjerrë nga hiçi. Sulmuesi shkodran kërkon shumë shërbim, por a do e kishte këtë luks ndaj Francës? Sigurisht që jo!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *