Ngo, gola dhe kartonë të kuq, Tirana nuk ndalet as ndaj Tomorit

0

U luajt sot ndeshja e parë e javës së 15-të në Kategorinë e Parë, me Tiranën që pritiTomorin. Një ndeshje me histori të vjetra, por shumë larg lavdisë së vet dhe me disnivel të theksuar mes dy skuadrave.

Në minutën e 18-të erdhi momenti i parë delikat i ndeshjes, që ka prodhuar tension e polemika, sepse një kros në zonën e Tomorit u përplas te një mbrojtës, i cili kishte ngritur duart më shumë për të mbrojtur fytyrën, sesa për të ndalur topin.

Arbitri nuk akordoi asgjë, por anësori dha 11-metërsh, duke irrituar lojtarët e Tomorit, që protestuan gjatë, para se Ngo të shënonte qetësisht. Gjithsesi, në minutën e 30-të Florian Kopaçe i shpëtoi pozicionit jashtë loje dhe shmangu edhe Ilion Likën, duke barazuar në 1-1. Gol që çoi në festë një grup tifozësh beratas, por festa ka zgjatur pak, sepse në minutën e 36-të Majkëll Ngo, sërish anglezi, me një depërtim të bukur në zonë gjeti një diagonale perfekte, duke shënuar një supergol.

Përfundimi i pjesës së parë lë me 10 lojtarë Tomorin, sepse Kopaçe protestoi tek arbitri pas mbylljes së 45 minutave dhe për pasojë mori karton të verdhë, që ishte i dyti, sepse të parin e kishte marrë për shkak se festoi golin duke u ngjitur tek hekurat rrethues për të festuar golin me tifozët.

Pas pushimit Tomori u mundua të ndryshonte diçka me zëvendësime, por me një lojtar më pak e kishte të pamundur të shqetësonte Tiranën, që priti me qetësi dhe në minutën e 58-të shënoi golin e sigurisë. Kros nga e majta e sulmit, gjiganti Ngo kërceu fuqishëm dhe e çoi topin në traversë, ndërsa portieri Kaloshi e pengoi kur anglezi tentoi të gjuante topin e kthyer nga traversa. Penalltinë e mori përsipër Bedri Greca, i cili nuk gaboi dhe 3-1.

Në minutën e 73-të edhe Tirana mbeti me 10 lojtarë, pasi mesfushori i rëndësishëm Toni Mauexhe bëri një gafë, duke goditur me shuplakë një kundërshtar që po e tërhiqte prej fanelle. Reagim i palejueshëm, i kuq direkt dhe i drejtë.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image