Ndalimi i Grimës, dritëhijet e një vendimi të pashpjeguar

0

Në Shqipëri kronika e zezë është kthyer në buke te përditshme për mediat dhe popullin, aq sa nuk i bën askujt përshtypje ngjarja, arsyet, pasojat, serioziteti u ligjit apo i raportimit të lajmit.

Ndërkaq, rrallë ndodh të shohësh personazhe të sportit të bëhen pjesë e kronikës së zezë dhe nuk mund të mos bënte bujë ndalimi i Armir Grimës nga policia e shtetit, që ka goditur një rrjet kriminal, sipas deklaratës së saj, por ndërkohë nuk kuptohet ende arsyeja reale e ndalimit të ish-portierit të famshëm, i cili prej vitesh drejton kombëtaren e femrave dhe për aq futboll sa kemi, duhet thënë se ka pasur sukses, pasi ka kaluar turin kualifikues duke mundur Greqinë në eliminatoret e Kupës së Botës.

Në deklaratën e policisë thuhet shkarazi se Grima është përfshirë në aktivitetin e rrjetit kriminal për organizim lotarish të paligjshme. Të dëgjosh një akuzë të tillë në Shqipërinë tonë ku gjysma e kompanive të basteve shkelin ligjin dhe fshehin të ardhurat, tingëllon qesharake, aq më shumë që paligjshmërinë e prekim kudo, edhe në punën tonë të përditshme, duke pranuar të punojmë në të zezë apo me sigurime minimale, sa për sy e faqe.

Grima paska shkelur rëndë ligjin dhe ka përfunduar në pranga, edhe pse në të shkuarën kemi parë raste e ngjarje shumë më të rënda dhe ka krime që nuk gjykohen prej vitesh e dekadash, ndërsa dëgjon pa fund shprehje tipike: “Liri me kusht, gjykim i shkurtuar, mungesa provash, avokati nuk paraqitet”, e të tjera si këto.

Ndoshta Grima ka bërë diçka, ndoshta thjesht po përdoret për të mbushur listën e të arrestuarve, sepse operacioni duhet konsideruar sukses i madh nëse lista e të ndaluarve është e gjatë.

Megjithatë, ajo që befason më shumë zelli mediatik për ta dënuar para kohe Grimën, edhe pse pas një jave mund të lirohet duke i kërkuar thjesht një ndjesë e të shkojë në shtëpi, me damkën e fajtorit në media e opinion.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.