Mbyllet epoka Shehi, portieri legjendar lajmëron tërheqjen dhe bëhet gati për rolin e ri

Orges Shehi për realitetin tonë mund të krahasohet me të madhin Xhixhi Bufon, por në ndryshim nga italiani, nuk ka ndërmend të vijojë të luajë pa fund. Sot në një intervistë të gjatë për Supersport portieri i Skënderbeut ka zyrtarizuar tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur, vendim i shpallur prej kohësh, por tashmë i bërë detyrim, duke parë edhe problemet e Skënderbeut.

“Unë në fakt edhe vitin e kaluar tentova të tërhiqem, madje isha i vendosur, por insistimi i disa personave më bindi që të vijoj. Gjithsesi tani do të thosha që jemi shumë afër, në mos, në fund të karrierës. Duke parë moshën, por edhe situatat që kanë ndodhur, mendoj se është më mirë që ta marr tani këtë vendim. Kujtoj një shprehje të De Biazit, që më thoshte vazhdimisht: Më mirë trajner i ri, sesa lojtar i vjetër”.

Momente të vështira në karrierë? “Sigurisht, ka pasur edhe të tilla. Një moment i vështirë ka qenë largimi nga Teuta, ku isha rritur, më pas shkova te Vllaznia. Kalimi te Partizani shënoi edhe sezonin e vetëm ku kam qenë një stol në karrierën time dhe ka qenë vërtet një moment i vështirë. Po ashtu, moment i keq ka qenë humbja e titullit në javën e fundit me Partizanin, në një ndeshje kundër Dinamos ku luajta për 83 minuta me gisht të thyer. Ishte një sakrificë që nuk vlejti, sepse nuk fituam, ndërsa për një vit vuajta nga dëmtimi”.

Krenaria: “Jam krenar për të gjitha çfarë kam bërë në karrierë, por edhe për një amanet të përmbushur, sepse babai im kishte shumë dëshirë të më shihte në nivele të larta dhe nuk ia doli dot”.

Trajnerët: “Kam pasur raporte shumë të mira me të gjithë, por nga mënyra si stërvitej skuadra dhe nga marrëdhëniet e krijuara me Levin ka qenë një periudhë e këndshme. Në atë kohë mbaj mend që nuk bëja pushim asnjë ditë, sepse më pëlqente shumë stërvitja e tij, ishte shumë impenjuese”.

Pengjet: “Kam pasur dy mundësi largimi në karrierë: së pari me ekipin kombëtar Shpresa në Portugali, në vitin 1997, mes rrëmujës në Shqipëri. Mund të kishim kërkuar strehim sportiv në Spanjë, por vendosa të kthehem në Shqipëri, me shpresën se do të vijoja të luaja me Shpresat. Një moment tjetër ka qenë në Izrael, para se të shkoja te Besa. Më dhanë OK, por për arsye se nuk më pëlqente qyteti dhe për disa detaje të vogla vendosa të kthehem në Shqipëri”.

Përjashtimi nga Europa për këtë sezon: “Nuk e prisja, pasi çështja nuk është gjykuar ende dhe na kanë përjashtuar. Meritonim të luanim në Europë, e kemi pritur shumë keq në skuadër”.

E ardhmja: “Kjo është periudha më e vështirë, fusha më mungon shumë, pas kaq vitesh si sportist në aktivitet. Kjo është periudha kur arrin të kuptosh se çfarë do. Mua më pëlqen futbolli i fushës, jo të jem zyrtar jashtë fushe. Besoj se këtu e shoh veten, pavarësisht se të jesh trajner do edhe fatin me vete. E kam me dëshirë, e shoh si sfidë dhe besoj se do pozicionohem si trajner në të ardhmen”.

Trajner te Skënderbeu? “Se çfarë kam dhënë unë për Skënderbeun, atë e vlerësojnë të tjerët, por unë mund të them se kam marrë jashtëzakonisht shumë nga ky klub. Nëse drejtuesit më kërkojnë të marr drejtimin e skuadrës, e ndjej detyrim ta marr këtë përgjegjësi, në shenjë mirënjohjeje për atë çfarë Skënderbeu më ka dhënë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *