Luftëtari “reziston” përballë Shkëndijës, prapaskenat e bisedimeve për Rrocën

0

Në fund janë paratë ato që bëjnë gjithmonë diferencën. Mbi të gjitha në futbollin modern. Kjo ka ndodhur edhe në bisedimet, pas interesit të shfaqur nga Shkëndija e Tetovës për Eduart Rrocën. Klubi kuqezi, e cilësonte mesfushorin si një përforcim ideal për kupat e Europës dhe sezonin e ri në Ligën e Parë maqedonase, ku do të synojë të mbrojë titullin.

Luftëtari, në anën tjetër, nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej yjeve të mbetur në ekip, të paktën jo pa atë që cilësohet çmimi i duhur. 150 mijë euro ishte kërkesa e gjirokastritëve për kartonin e Rrocës, menjëherë pasi kontaktet e Shkëndijës me futbollistin nisën të konkretizoheshin.

Shifra u cilësua e lartë nga klubi tetovar, që në ofertën e tij kërkoi uljen e çmimit, me shifrën që mbetet e paspecifikuar. Ndërkohë, si mënyrë për të bindur drejtuesit e Luftëtarit, Shkëndija oftoi t’u linte bluzinjve edhe 30 për qind të kartonit, për të siguruar të tjera të ardhura nëse Rroca do të rishitej.

Negociatat vijojnë, me kampionët e Maqedonisë që kërkojnë të përforcojnë grupin me lojtarë cilësorë. Klubi synon që trajneri Qatip Osmani të ketë një skuadër konkurruese edhe sezonin e ardhshëm, pavarësisht se pas titullit të fituar, nga kuqezinjtë u larguan dy yje si Ferhan Hasani dhe Ardian Cuculi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.