Mbrojtësit të krahut të majtë i skadon kontrata, rinovimi u kushton 5 mijë euro në muaj “demave”. Rroga e lojtarit është e majme, pasi merr 3.500 euro në muaj.
Eraldo Harlicaj
Sa e vështirë është të nisësh gjithçka nga zero. Ekipet shqiptare e bëjnë thuajse çdo merkato vere, ndoshta dhe në janar. Megjithatë, këto vitet e fundit, vetëm një ekip ka përjetuar një katarsis të plotë. Ekipi i Partizanit dhe tifozët e tij kanë kaluar nga parajsa në ferr brenda pak kohësh. Ringritja e tyre është e vështirë, pasi duket se skuadra e kuqe ka ngelur në batakun e purgatorit dhe nuk po arrin të fluturojë njëherë e mirë, megjithatë shpresa vdes e fundit. Ky duhet të ishte viti i Partizanit, ashtu si ai tjetri që do të vijë, pasi që nga rikthimi i klubit në Superiore në vitin 2013, tifozët dëgjojnë të njëjtin refren.
Dilema që kanë momentalisht drejtuesit e Partizanit është nëse duhet t’i nënshtrohen një revolucioni total, apo jo? 3 prej lojtarëve të rëndësishëm të klubit të kuq u skadon kontrata në fund të sezonit. Kapiteni Batha dhe mbrojtësit Fejzullahi dhe Kalari dalin si futbollistë të lirë. Me dy të parët nuk është gjetur gjuha e përbashkët me të fundit nuk është diskutuar ende. “Sport Ekspres” mëson se nuk janë vetëm këta futbollistë që ndodhen në kushte të tilla, pasi një largim thuajse i sigurt nga Partizani është ai mbrojtësit të krahut të majtë, Blerim Kotobelli.
SITUATA E FUTBOLLISTIT – Kotobelli nuk po preferohet nga trajneri Klevis Dalipi. Ai u zëvendësua që në pjesën e parë në ndeshjen kundër Kukësit, ndërsa me Skënderbeun nuk u përfshi në formacion, kulmi erdhi në ndeshjen kundër Lushnjes. Kotobelli nuk u grumbullua nga trajneri Klevis Dalipi duke konfirmuar dhe njëherë krisjen mes tij dhe drejtuesve të klubit. Një situatë e tillë nuk ndodh për herë të parë, pasi dhe në janar kryeqytetasit donin ta largonin nga skuadra ose ta huazonin në ndonjë ekip tjetër. Arsyeja? Rroga e tij është e lartë. Futbollisti merr 3500 euro në muaj dhe kontributi i tij nuk është ai që pritej nga klubi i kuq. Në kushte të tilla, largimi i Kotobellit nga ekipi i Partizanit është thuajse i sigurt në merkaton e verës. Kontrata e tij nuk e mbron më si në janari, pasi të drejtat e saj i ka klubi i Partizanit.
KONTRATA – Kotobellit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni, por ai ka dhe opsionin +1. E drejta e rinovimit të kontratës i takon klubit, futbollisti nuk mund ta rinovojë automatikisht. Partizani duket se e ka marrë vendimin dhe nuk do të rinovojë me 25-vjeçarin. Jo vetëm për shkak të rendimentit të lojtarit, por për shkak të rrogës së tij dhe kleçkës së rinovimit. Në rast se Partizani rinovon, atëherë rroga e Kotobellit rritet automatikisht.
KLEÇKA NË KONTRATË – Kontrata e mbrojtësit, Blerim Kotobelli, është mjaft e veçantë, pasi në rast se klubi e rinovon atë, atëherë rroga e tij rritet në 5 mijë euro. Momentalisht, futbollisti përfiton 3500 euro në muaj. Një shifër shumë e mirë për një lojtar. Rinovimi me 5 mijë euro duket si një “çmenduri” për klubin e kuq që nuk e konsideron aspak si opsion. Futbollisti vetë nuk është aspak i mërzitur me këtë detaj, pasi nuk është i lumtur me trajtimin që i është bërë nga klubi i kuq. Ai del si futbollist i lirë në verë dhe do të synojë të gjejë një ekip tjetër. 25-vjeçari është i zhgënjyer nga drejtuesit, pasi u afrua si lojtar i rëndësishëm dhe titullar, por humbi duelin me Kalarin, deri në momentin që ky i fundit u dëmtua, po ashtu dhe me Trashin tashmë.