Kosova në modë, KEK për Devollin

0

“Ky është një treg shumë interesant. Jam i lumtur që punoj këtu dhe mund të bëjmë gjera të rëndësishme në të ardhmen”.

Si futbollist ka luajtur për 17 vite në nivele të larta, nga Luftëtari i vendlindjes e deri në Shkodër, kampion me Tiranën, thuajse i tillë me Flamurtarin, një sezon me Skënderbeun, kur në Korçë të merrnin për idiot po t’u thoshe që pak vite më vonë do fitonin tituj sa të veleshin dhe të mos u bënin më përshtypje. Ka luajtur edhe me kombëtaren, ndërsa prej vitit 2014 u nda me futbollin e luajtur dhe nisi punën si trajner. Sërish te Luftëtari, për të mësuar zanatin, që nuk është aspak i lehtë, por te Kamza në një periudhë të shkurtër sezonin e shkuar hodhi bazat për atë ekip që u ngjit në Superiore dhe po shkëlqen. Tentoi edhe në Ballsh, por nuk ishte ambienti i duhur, ndaj në moshën 40-vjeçare, si dhuratë për ditëlindje, Devolli vendosi të shkojë në Kosovë. Këtë janar firmosi për një ndër klubet më të mirë në kategorinë e dytë aty, KEK, që është drejt ngjitjes në Superiore. Pjesë e një projekti serioz për sezonin e ardhshëm, Devolli ka pranuar me dëshirë, i bindur edhe nga fakti se në Kosovë ka shkuar Bledi Shkëmbi dhe ka bërë shumë mirë, ndjekur nga Mirel Josa e Gugash Magani. Pjesa tjetër e Shqipërisë po rezulton një parajsë e vogël për trajnerët shqiptarë.

– Devolli, si erdhi opsioni KEK dhe si u zhvilluan tratativat?

– Në fakt, kisha disa muaj që po krijoja kontakte ne tregun e Kosovës. Në verën e shkuar isha gjithashtu pranë një skuadre, ndërsa para janarit kisha 2-3 mundësi. Për shumë arsye, asnjëra nuk u konkretizua. KEK-un e njihja edhe si skuadër, edhe si presidencë – në distancë kuptohet – por nuk e prisja. Elton Marini – menaxher – mik i përbashkët si i imi, ashtu edhe i presidencës, me telefonoi dhe më tha vetëm kaq: KEK. Nuk u mendova por u nisa për në Prishtinë. Marini dhe presidenti i KEK-ut kanë miqësi familjare mes tyre.

– Kosovë, kategori e parë. Nuk ju trembi kjo?

– Jo. Skuadrën e njihja, e pashë në miqësore kundër Lirisë së Shkëmbit në Durrës në janar. Ekipi është shumë i mirë, është në vend të parë dhe patjetër qe do dalim në Superligë. Me presidentin u kuptuam menjëherë. Njeri i jashtëzakonshëm, shumë modern dhe e di çdo të thonë klubi dhe stafi. Nëse rezultatet ecin mirë, mund të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për vitin tjetër.

– A jeni i kënaqur nga stafi?

– Unë kam ndihmëstrajner Jurgen Agollin, të cilin mbi të gjitha e kam koleg dhe shumë mik. Kemi ardhur staf. Me të kam punuar edhe te Kamza dhe jemi ndjerë shumë mirë. Bashkëpunojmë shkëlqyeshëm me drejtorin sportiv dhe jemi te gjithë të kënaqur nga çdo gjë.

– A e ndihmoi ketë lëvizje fakti që disa trajnerë të tjerë shqiptarë punojnë në Kosovë?

– Shkëmbi është një mik i ngushtë i imi. Gjatë kësaj periudhe kam folur shpesh me të, madje shkoja dhe e vizitoja në Prizren nga miqësia që kemi. Ai ka bërë atje një punë fantastike dhe mendoj se do bëhet trajner shumë i madh. Në Kosovë njerëzit flasin mirë për lojën e Lirisë. Josa është në vend të parë, ndërsa Magani ka marre Trepçën 89. Patjetër qe sa më shumë trajnerë të ketë nga Shqipëria, aq më shumë rriten konkurrenca dhe tregu. Megjithatë, respekt për çdo trajner që punon kudo, në çdo ekip.

– Objektivat besoj janë të qarte?

– Po, vend i parë, madje mundësisht me maksimum pikësh. E kam të qartë se çfarë duan në klub.

– Si është jeta në Prishtinë?

– Shumë mirë, jemi ambientuar menjëherë dhe po kalojmë shkëlqyeshëm.

– Vazhdon ta ndjekësh kampionatin shqiptar?

– Po, patjetër. Më bëhet qejfi për Kamzën, skuadër të cilën e drejtova, duke e nxjerrë në superiore. Puna që është bërë nuk ka shkuar dëm.

– Si e gjykon në përgjithësi kampionatin. Dhe garën?

– Interesant. Kampionati është rritur ndjeshëm. Kur unë luaja futboll nuk ishin këto kushte dhe nuk kishte këtë vëmendje. Realisht u gëzova që drejtimi aktual i federatës u konfirmua sërish, sepse kanë bërë një punë shumë të mirë dhe besoj në këto 4 vite kampionati do jetë edhe më i bukur.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here