Klop kërkon portier të ri, “pazar” në Itali

Lojtarët e Liverpulit, ashtu si trajneri Jyrgen Klop, refuzuan të fajësonin portierin Loris Karius për humbjen kundër Real Madridit në Kiev, me Dejan Lovren që bëri thirrje që kritikat ndaj gjermanit të ishin të përmbajtura.

Megjithatë, besimi i Klopit te portieri që e bleu vetë nga Mainci për 5 milionë euro tashmë është zbehur ndjeshëm. Mediat në Angli raportojnë se trajneri gjerman është bindur se i duhet një portier i nivelit të lartë, për të nisur sulmin e ri drejt kreut në Premier Ligë dhe suksesit në Champions League.

Emri i preferuar është ai i brazilianit Alison, i cili te Roma ka qenë spektakolar këtë sezon. Liverpuli ka kohë që e vëzhgon dhe tashmë është gati të hidhet në sulm, por Roma nuk ka pranuar të ulet në bisedime në asnjë moment. Gabim i bërë vjet, me shitjen e Salah për 40 milionë euro, nuk do të përsëritet më, ndaj Alison do të jetë i vështirë për t’u arritur, nëse Liverpuli nuk bën ndonjë sforcim gjigant ekonomik, siç ka bërë për mesfushorin Nabi Keita, i cili është transferuar nga RB Lajpcig te The Reds për 60 milionë euro.

Ndërkaq, Mohamed Salah ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, ku shprehet besimplotë se do të jetë në Rusi: “Ishte një natë e vështirë, por unë jam një luftëtar. Edhe pse duket e vështirë, kam besim se do të jem në Rusi për t’iu bërë krenarë. Dashuria dhe mbështetja juaj më japin forcën që më duhet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *