Kampionatet do vendosen në tavolinë? Trajneri i Kukësit është optimist: Çështje kohe dhe nis Superiorja

Frika më e madhe për të gjitha skuadrat, që veçanërisht janë në vendet e dyta në kampionatet europiane, është nëse gjithçka do të mbyllet para kohe për shkakun e Koronavirusit. Kjo do të bënte që titulli t’i kalonte vendeve të para që renditen aktualisht, megjithëse në shumë raste kemi diferenca të vogla si në Seria A dhe La Liga.

Në elitën e kampionatit tonë, Tirana e ka thuajse të kryer punën, por Kukësi ka edhe shpresat e tij, për të kërkuar mrekullinë. Pikërisht për këtë arsye, trajneri Orges Shehi shprehet për “RTSH Sport” se Superiorja do të vazhdojë së shpejti, duke mos menduar për momentin variantin që vendoset në tavolinë.

“Ndodhemi në situatë të vështirë, si gjithë bota. Shpresojm që të mbyllet sa më shpejt dhe duhet të qendrojmë në shtëpi që të shkëpusim atë zinxhirin e infektimit. Sigurisht që ditët e para ishin të vështira, por pastaj njeriu e organizon ditën që të mos jetë shumë e mërzitshme. Unë kam një aplikacion që kontrolloj lojtarët. Nuk mund të detyroj lojtarët që të dalin orar pa orar, por kur ata kanë mundësi të bëjnë disa vrapime që të mos ngelin mbrapa. Jam optimist, është çështje kohe dhe kampionati do të fillojë. Është vetëm çështje kohe për t’u rikthyer normalisht në përditshmërinë tonë”, tha Shehi. /Sport Ekspres/