Kalaja: Sot firmos me Kukësin, Vllaznia më bllokoi të ardhmen

Shkodrani i zemëruar me të tijtë: “Isha i persekutuar në aktivizim. Kukësi më donte që në janar, por nuk më lejuan”

Gaspër Marku
Mesfushori sulmues i Vllaznisë, Arlind Kalaja nuk është më pjesë e skuadrës kuqeblu. Që prej ditës së sotme ai pritet të jetë zyrtarisht pjesë e skuadrës së Kukësit. Lajmin e bën publik vete futbollisti, i cili, duke folur për Sport Ekspres bën të ditur se pas bisedës kokë më kokë me drejtorin teknik të Kukësit, Nderim Nexhipi, me të cilin ka konsumuar gjithçka në lidhje me kushtet e kontratës që e lidhin atë me skuadrën veriore, sot ai pritet të jetë në zyrën e presidentit kuksian, Safet Gjici për të nënshkruar zyrtarisht. “Po, është e vërtetë. Të dielën më duhet të jem në Tiranë për tu paraqitur në zyrën e presidentit të Kukësit, Safet Gjici për të firmosur zyrtarisht me FK Kukësin” , thotë Kalaja. Paraprakisht ai shprehet i kënaqur që arriti të bëhej e kësaj skuadre, me të cilin pritet të aktivizohet edhe në Kupat e Europës. Për këtë gjen rastin të falënderoj drejtuesit kuksian, si ato të stafit teknik me në krye austriakun Peter Pakult, si dhe në veçanti presidentin Gjici, ku sipas tij, që në kontaktet e para me të ka dalluar tek ai një njeri shumë të përkushtuar ndaj skuadrës, si dhe mjaft komunikues me futbollistët, gjë të cilën e ka konstatuar edhe gjatë bisedës me të.

KONTRATA

Ndonëse më hollësisht, pikat dhe kushtet e kontratës pritet të bëhen në mënyrë zyrtare pas firmosjes së saj, Kalaja zbulon një pjesë të saj kur thotë se në bisedën me drejtorin Nexhipi ka rënë dakord që afati i bashkëpunimit me kuksianët të jetë për një afat kohor dy deri tre vjeçar. Përderisa kam pranuar që të firmos për këtë skuadër, jam shumë i kënaqur me kushtet e aspektit financiar të ofruara nga ana e klubit kuksian, thotë Kalaja për gazetën. Ai është i bindur se zgjedhja që ka bërë është më e mira e mundshme në këtë moment të karrierës së tij sportive. Më pas ai shton se sipas programit të hartuar nga stafi teknik, ai duhet të jetë me datë 11 qershor në Tiranë për të filluar stërvitjet me skuadrën kuksiane për pak ditë në kryeqytet dhe më pas për tu zhvendosur në Slloveni ku do të zhvillohet faza përgatitore e mirëfilltë. Fillimisht për pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe në vijim edhe të kampionatit.

AKUZA
I pyetur se si po e përjeton largimin nga Vllaznia, Kalaja natyrshëm që shpreh keqardhje shumë të madhe për atë që po përjetojnë tifozët shkodranë, të cilët në këtë sezon futbollistik nuk do ta shohin skuadrën e tyre në Kategorinë Superiore. Dështimin e Vllaznisë ai e shikon në shumë plane, ku pjesë se saj janë edhe vete futbollistët, duke përfshirë edhe vetveten, të cilët nuk arritën të marrin pikët e duhura të mbijetesës. Gjithsesi, duke dashur të ndalet në veçanti tek vetë Kalaja, ai thotë se personalisht se nuk e shikon veten përgjegjës për atë që ndodhi. Sipas tij, shkaktarët e këtij dështimi janë kryesisht të tjerët, të cilët kanë qenë edhe aktorët kryesorë të përfaqësimit të Vllaznisë, duke filluar nga stafi teknik dhe për të vijuar me ata që iu besua të luanin si titullarë në fushën e lojës. Unë për vete kam qenë si i persekutuar brenda grupit kuqeblu, thotë Kalaja, duke e argumentuar këtë me lënien totalisht në hije të tij gjatë kampionatit. “Kam punuar shumë fort dhe me seriozitet në procesin stërvitor për të gjetur hapësirën time në formacion, por asnjëherë nuk e mora një gjë të tillë. Jam aktivizuar fare pak si zëvendësues në minutazhin e pjesëve të dyta dhe sa herë jam futur në fushën e lojës kam shënuar. Madje, në këtë drejtim unë kam aq gola të shënuar sa ato që trajneri i ka aktivizuar si titullar”, thotë Kalaja, duke shprehur gjithë atë duf që ai ka në këtë drejtim. Pikërisht për këtë ai ka dashur që të largohet që në janar kur e kërkonte po Kukësi, por sipas tij nuk e kanë lejuar drejtuesit, duke i premtuar se gjërat do të rregullohen, por që realisht nuk pati asnjë reagim në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *