Isli Hidi si vera, titullar në Qipro dhe pret edhe penallti

E mbani mend Isli Hidin? Tashmë është 37 vjeç dhe në dekadën e fundit ka luajtur në Ukrainë e Qipro, ndërsa ka pasur edhe një sezon te Dinamo, hera e fundit që luante në Shqipëri, në fillim të sezonit 2010/11. Gjashtë herë kampion i Shqipërisë, një herë i Qipros, disa kupa e Superkupa të fituara, Hidi është padyshim një ndër shqiptarët me më shumë trofe në karrierë.

Nga viti 2011 deri sezonin e shkuar kishte luajtur pak, duke u kthyer në rezervë te AEL-i dhe Apolloni, por në vitin 2016 u kthye te Olimpiakosi i Nikozisë, u bë titullar dhe dha kontribut të madh për kthimin në Divizionin 1.

Edhe këtë sezon Hidi është konfirmuar titullar dhe deri tani nuk ka munguar asnjë minutë, duke qenë një lider në skuadër dhe duke u bërë vendimtar me pritjet e tij. Fundjavën e shkuar Olimpiakosi barazoi në shtëpi 0-0 ndaj Arisit dhe Hidi i dha pikën skuadrës së tij, sepse në minutën e 91-të priti një penallti. Nuk është vetëm Orges Shehi një “veteran i artë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *