Flamurtari në hall, Bushiç kthehet vitin e ardhshëm

0

Kapiteni kuqezi vuan prej një muaji. Dëmtimi tashmë ka nevojë për kujdes dhe asnjë sforcim. Kthimi në Shqipëri, pas disa javësh

Dy ditë para ndeshjes me Laçin, situata tek Flamurtari duket e qetë dhe në ekip ka optimizëm. Megjithatë, lajmi i hidhur për trajnerin Shpëtim Duro vjen nga kapiteni Tomislav Bushiç, i cili jo vetëm që nuk do të aktivizohet ndaj skuadrës së drejtuar nga vlonjati Gentian Mezani, por gjithashtu ka mbyllur vitin.

DËMTIMI – Ishte ndeshja Lushnja-Flamurtari, më 19 nëntor, ajo që rezultoi fatale për kroatin, i cili pësoi një tërheqje dhe u detyrua të dilte që në pjesën e parë. Fillimisht u mendua se Duro e ndërroi sulmuesin e vet kryesor për të mos rrezikuar, por më pas Bushiç mungoi në ndeshjen kundër Teutës dhe mungesa e tij u ndje shumë. Në fillim të dhjetorit Bushiç luajti 90 minuta në Gjirokastër, por duke u sforcuar dhe u pa qartë që nuk ishte në maksimumin e vet, ndërsa Duro e pranoi pas ndeshjes se kishte rrezikuar shumë dhe e futur kroatin. Javën e shkuar kundër Vllaznisë Bushiç rezistoi vetëm 21 minuta dhe sërish ndërrim. Situata nuk është aq e thjeshtë sa dukej…

NË KROACI – Ditën e djeshme Bushiç nuk ka qenë në Vlorë. Sulmuesi është nisur për në Kroaci, ku do të qëndrojë deri vitin e ardhshëm. Terapi intensive për t’u riaftësuar plotësisht, pa sforcimin e stërvitjes apo ndeshjeve. Aty kapiteni do të qëndrojë disa javë, deri në rifillimin e përgatitjeve për sezonin e ri, ose ndoshta edhe deri në mes të janarit, pasi Duro kërkon ta ketë në formë maksimale në rifillimin e sezonit, më 20 janar kundër Partizanit në Vlorë. Ndërkaq, përforcimet e Flamurtarit në merkato, sidomos sulmuesi Nedeljkoviç, duket se janë bërë edhe për të mos u kapur të papërgatitur nga ndonjë mungesë më e gjatë e Bushiçit, lojtar vendimtar, por pa zëvendësues deri tani.

ALTERNATIVAT – Dje skuadra vlonjate ka zhvilluar një seancë stërvitore, duke nisur nga ora 13:30. Ekipi ka punuar në fushën sportive në Pyllin e Sodës, në një seancë ku stafi teknik po i jep dorën e fundit përgatitjeve edhe për përzgjedhjen e formacionit. Pritet rikthimi nga minuta e parë e mesfushorëve Useini dhe Zhufo, të cilët munguan ndaj Vllaznisë për shkak të pezullimit nga kartonët. Ndërkohë, në mungesë të Bushiç pritet që të jetë Ardit Hoxhaj lojtari i cili do ta nisë nga minuta e parë ndeshjen me Laçin, përkrah brazilianit Danilo Alvesh. Një paraqitje mjaft të mirë ka bërë në kupë edhe Ibrahim Tungara, i cili pritet të grumbullohet për ndeshjen me kurbinasit, por do ta nisë nga stoli. Krahasuar me ndeshjen e fundit me Vllazninë, formacioni titullar i skuadrës vlonjate pritet të ketë disa ndryshime. Musta dhe Siljanovski do të jenë në krah të mbrojtjes, ndërsa në qendër ka balotazh mes Pollozhanit dhe Jakovljeviç, për të plotësuar dyshen e qendrës së prapavijës me Ditmar Bicajn. Mbetet për t’u parë edhe seanca e sotme stërvitore për të kuptuar më mirë se cilët janë të përzgjedhur e trajnerit Duro porta sfiduar Laçin nga minuta e parë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.