Festë vlonjate në Tiranë, Flamurtari prek titullin

0

Tirana – Flamurtari 54-58 (0-2)

(21-13, 11-12, 17-17, 5-16)

Tirana: E. Bujari, Milovanoviç, Xhanaj, Bojd, Okoje/Popoviç, Zykaj, G. Bujari Trajner: R.Avrami

Flamurtari: Aliaj, Myrto, Nikpaljeviç, Çorto, Mijatoviç/Palko, Joziç Trajner: V.Toska

Gjyqtarë: E.Koçi, G.Hoxha (Tiranë), H.Trajer (Shkodër)

Flamurtari i basketbollit të femrave është në prag të fitimit të titullit kampion, pasi me shumë meritë ka fituar dhe ndeshjen e dytë finale në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Tirana, në fakt, ka bërë ‘vetëvrasje’, sepse nga një avantazh prej 14 pikësh diferencë është mundur për gabimet e saj me katër pikë. Kaq ka mjaftuar që Avrami të largohet i nervozuar pas ndeshjes dhe pa thënë asnjë fjalë.

Ndeshja ka nisur me 15 minuta vonesë, kjo si pasojë e mungesës së forcave të rendit, ndonëse takimi, edhe duke qenë se është luajtur me një minimum spektatorësh, nuk shfaqte rrezikshmëri. Gjithsesi, ndërkombëtarët Koçi dhe Hoxha e shkodrani Trajer kanë kërkuar zbatimin me përpikmëri të rregullores. Vetëm pas ardhjes së forcave të rendit, ndeshja ka nisur. Tirana e ka nisur mirë, ndërsa është shkëputur që në fillim derisa pikë pas pike ka fituar periodën e parë 21-13.

Ajo që duhet theksuar është se bardheblutë kanë mbyllur të gjitha rrugët e veprimit për Nikpajljeviç, apo Mijatoviç, e për rrjedhojë Myrto e Çorto e kanë të vështirë të gjejnë hapësirat për të dërguar topin. Përmirësohet disi loja e Flamurtarit në të dytën, që fiton periodën e dytë 11-12, dhe në pushim Tirana kryesonte 32-25. E barabartë perioda e tretë, 17-17 dhe në total 49-42.

Kthesa e Flamurtarit

Tirana ka kryesuar në periodën e katërt deri në 54-53. Avrami merr pushimin e tij të fundit dhe udhëzon që të tentohet të goditet me trepikësha, por në mbrojtje të kërkohet dhe ndonjë faull. Nuk bëhet as njëra e as tjetra. Çorto përmbys në 54-56. Joziç më pas dhe Nikpajljeviç dhe 54-58. Në krahun tjetër Popoviç dhe Bojd humbasin mundësinë e trepikëshave dhe festa është e Flamurtarit.

Trajneri Toska

Trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, ka treguar për mikrofonin e RTSH Sport se skuadra vlonjate është mësuar të përmbysë disavantazhe, sidomos në Tiranë. “Ne jemi një skuadër – thotë Toska – që luajmë nga minuta e parë deri në fund. Kemi përmbysur dhe disavantazhe prej 19 dhe 23 pikësh dhe gjithnjë kemi dalë fitues. Është një skuadër që luan në grup dhe nuk mbështetet tek individët. Ndaj dhe është kampion”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here