Ekskluzive/ “Bindje! Brezi ynë kualifikon Shqipërinë në Botëror ose Europian”! Indrit Tuci ngre peshë tifozët: Me Brojën ngjaj vetëm nga fiziku

0

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria ka një të ardhme të ndritur përpara dhe brenda disa vitesh pritet të dëshmohet se ai kualifikim në Europianin e Francës nuk do të jetë i vetmi për t’u mbajtur shënim në historinë tonë. Brezi i emigrantëve shqiptarë në Angli është rritur dhe si rrallëherë më parë shohim një shtim të emrave të talentuar që vijnë prej andej. Për të vazhduar me investimet e rritura në futbollin shqiptar dhe futbollistë që bëjnë kalime të mëdha, duke dalë prej vendit tonë dhe duke e treguar veten në skuadra të njohura europiane.

Indrit Tuci është një prej atyre futbollistëve që duhet parë me vëmendje, ndërsa pritet që të shpërthejë në sezonin e ardhshëm. Në këtë kampionat erdhi edhe kalimi i tij nga të rinjtë e Lokomotivës së Zagrebit tek ekipi i parë, ndërsa specialistët e futbollit e quajnë si një nga talentet më të mëdha.

Sport Ekspres” ka zhvilluar me Tucin një intervistë, teksa me bindje të plotë shprehet se Shqipëria ka për të shkuar në një Botëror ose Europian me brezin e ri. Gjithashtu duke iu përgjigjur edhe krahasimit me Armando Brojën, apo edhe etiketimit “banda e shqiptarëve” që u ka ardhur nga pjesa tjetër e shokëve të skuadrës te Lokomotiva e Zagrebit, për shkakun se ka shumë futbollistë me këtë prejardhje.

“Nuk është e lehtë që të përshtatesh me futbollin profesionist, ndryshon gjithçka krahasuar me grupmoshat. Deri tani jam ambientuar mirë, por ka edhe shumë për të mësuar dita-ditës. Sezonin tjetër klubi do të ketë më shumë besim tek unë dhe do mundohem që të bëj sa më mirë. Objektivat i kam të vendosura në kokën time.

Me lojtarët e tjerë shqiptarë këtu marrëdhënia është shumë e mirë. Dalim shpesh për kafe, bëjmë shëtitje dhe kur shkojmë në stërvitje, jemi të bashkuar njësoj si me pjesën tjetër të skuadrës.

Ngjashmëri me Brojën? Armandon e kam parë vetëm në një ndeshje kundër Kosovës dhe besoj se ka një ngjashmëri me mua vetëm në aspektin e fizikut, pasi nga ana taktike jemi të ndryshëm. Unë gjithmonë e kam thënë me plot bindje që brezi jonë do sjellë një kualifikim në Botëror ose Europian.

Nuk i dihet asnjëherë pas dy sezonesh apo pas një sezoni se ku mund të shkojë, por mundohem që të përgatis veten për një kampionat më të fortë. Italia dhe Spanja më përshtaten më shumë, por nuk i dihet asnjëherë. A është “banda e shqiptarëve” më e forta në Kroaci? Renditja tregon se po, ne jemi më mirë për momentin”, tha Tuci. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.