Dikur “mbret” i krahut të majtë, Abraham prezantohet nga një goleador

Më shumë se 14 vite në Shqipëri dhe tashmë ka marrë pasaportën shqiptare. Flasim për Abraham Aleçenu, i cili në vendin tonë ka nisur të luajë futboll nga Erseka e ftohtë. Edhe pse nigerian, e provoi futbollin shqiptar me Gramozin në vitin 2004 dhe më pas iu bashkua Apolonisë.

Kalimi tek Elbasani hapi rrugët e skenës së madhe për mbrojtësin e majtë, që për disa vite ishte më i miri në vend. Me verdheblutë fitoi titullin kampion, më pas bëri të njëjtën gjë me Tiranën dhe Dinamon. Asokohe u krijua ideja: “Nëse do titullin kampion, merr Abrahamin”.

Triumfoi katër sezone radhazi, ndërkohë që më pas provoi një eksperiencë në Greqi tek Iraklis. Në Shqipëri ka kontribuar për Vllazninë, Flamurtarin, Besën, Kastriotin, Mamurrasin dhe e mbylli futbollin e luajtur me Laçin.

Tanimë Abraham ka ndryshuar profil, por mbetet në futboll. Pak kohë më parë kreu kursin e drejtorit sportiv në FSHF dhe momentalisht merret me menaxhim lojtarësh. Janë disa lojtarët që po tenton t’i ingranojë në Superiore. Këtë verë solli mesfushorin Bamidele Jampolski, një mesfushor që ka luajtur me Izraelin U21, si dhe ka mbrojtur ngjyrat e Makabi Haifa. Nuk pati akord me Laçin.

Përgjithësisht ka punuar “underground”, ndërkohë që tanimë ngadalë-ngadalë po del në skenë. Rexhinaldo, sulmuesi që vjet shkëlqeu te Laçi me 18 gola në kampionat, u transferua te Kukësi. Abraham ishte ndërmjetësi i sulmuesit kur iu bashkua bardhezinjve, ndërkohë që bashkëpunimi ka vijuar. Futbollisti nga Mozambiku, pas prezantimit te kuksianët, e ka falënderuar njeriun që dikur “e bënte vijë” krahun e majtë. Tani për të ka nisur një kapitull i ri. /VLADIMIR PRENGA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *