Deklaratat/ “Fitojmë për Trashin, më i miri në Ballkan”, Egbo flet pas Sormanit: Nuk kemi frikë, me Zotin para

Dy trajnerët kanë dhënë deklaratat e tyre para ndeshjes derbi mes Tiranës dhe Partizanit. Fillimisht ishte Sormani që foli për këtë përballje. Trajneri i të kuqëve nuk e sheh aq shumë si një derbi ndeshjen e nesërme, por si një mundësi për të zvogëluar pikët me Tiranën. Gjithashtu një vlerësim ka pasur për Trashin, duke e quajtur si mbrojtësin në rolin e tij si më të mirin në Ballkan dhe fitorja do të shkojë për të.

“Respekt kemi për të gjithë, por frikë nuk kemi asnjë. Trashi ka rritje që kur kam ardhur unë dhe për mua është mbrojtësi më i mirë në Ballkan. Mezi priste që të luante dhe na kërkoi që ta fitojmë këtë ndeshje. Do bëjmë gjithçka për t’ia plotësuar këtë dëshirë që ka. Nuk e shoh si një derbi më shumë sesa një mundësi të madhe për të zvogëluar diferencën me Tiranën dhe për të luftuar për titullin kampion. Këtu nuk ka presion”, ka thënë Sormani.

Nga ana tjetër, i qetë dhe i përmbajtur është treguar Egbo. Kur këtë gjë e ka bërë në kohët më të vështira te Tirana, askush nuk priste një fytyrë tjetër të trajnerit tani që gjithçka po shkon vaj te bardheblutë.

“Futbollistët tanë e kanë qetësinë dhe nuk është hera e parë që zhvillojnë një derbi. Është e vërtetë që ka vetbesim, harmoni, por jemi me këmbë në tokë. Frikë nuk kemi nga Partizani, por mendoj vetëm Tiranën. Zoti ka meritë në gjithçka dhe nëse nuk e ke në krahë, atëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Po dhe maksimumin ai do e shoh dhe do të jap atë që të takon. Ne jemi gati për nesër që të japim më të mirën”, ka thënë Egbo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *