Aksidenti i ndryshoi jetën, sot ‘Toni’ Mohamed mahnit me Seltën

Mes skuadrave që kanë befasuar në këtë fillim sezoni në Europë është Selta Vigo. Në La Liga-n spanjolle janë të tretët, pas Realit të Madridit dhe Barcelonës, që kanë pikë të plota. Shtatë pikë në tre ndeshje, me pesë gola të shënuar dhe dy të pësuar. Një surprizë e drejtuar nga një prej trajnerëve më interesantë të futbollit europian.

Kur sheh në stol Antonio Mohamed, gjëja e parë që bie në sy është se ai ka pak ngjashmëri me trajnerët tradicionalë. Trupmadh, ku për nga fiziku ngjan me një “bodyguard”, apo sikurse dikush e ka etiketuar me humor, me pamjen e një gangsteri amerikan.

Për më tepër se 15 vjet, ish-sulmuesi argjentinas ka luajtur me skuadra të ndryshme në Amerikën e Jugut dhe cilësohej një njeri i modës në atë kohë. Sa për kujtesë, ishte ndër të parët që në vitet ’90 I lyente flokët me ngjyrat më të paimagjinueshme për atë kohë. Kishte tatuazhe, vishej sipas modës së fundit, ndërsa elementi dallies ishin çizmet e bardha.

Krejt e kundërta e asaj që sot shihet në stol: kostume, syze dielli (të cilat i mban gjithmonë) dhe këpucë serioze. Në qafë mban një rozario, varëse me kuptim edhe më të thellë se thjesht fetar. Ajo i përkiste të birit Farid, tatuazhin e të cilit Mohammed e ka edhe në krah. Trajneri ka përjetuar një episode të rëndë. Në vitin 2006 humbi të birin vetëm 9-vjeçar, pas një aksidenti automobilistik, ndërsa ktheheshin së bashku nga ndeshja e Argjentinës me Gjermaninë në Kupën e Botës.

Antonio kaloi shumë netë në spital, me rrezikun e amputimit të njërës këmbë, ndërsa vogëlushi Farid nuk i’a doli të mbijetonte. Aksidenti u shkaktua nga një makinë, që udhëtonte me shpejtësi mbi 200 km/h. Një dhimbje që i ndryshoi jetën dhe e detyroi të angazhohej me futbollin, si mënyrë për të luftuar hidhërimin për humbjen e parakohëshme dhe të padrejtë të të birit.

Karriera e tij nisi në sytë e mikut Diego Armando Maradona, i cili ishte i pranishëm në debutimin e Antonios në stol. “Im bir do të kishte dashur të më shihte duke drejtuar një skuadër”, ka thënë trajneri, i cili karrierën e nisi në vendlindjen e tij në Argjentinë, por është mjaft i njohur edhe në Meksikë. Është tifoz i Hurakan, por më tepër sesa mbështetje është një dashuri në kufijtë e çmendurisë, aq sa Mohamed është i bindur se një ditë do të bëhet presidenti i klubit.

Madje, kur luante me Boka Zhunjors, refuzoi t’i shënonte ekipit që adhuronte, duke zemëruar trajnerin Oskar Uashington Tabarez, që e zëvendësoi në pushimin e ndeshjes. Hurakanit i ka dedikuar poezi dhe i ka premtuar besnikëri të përjetshme.

Antonio është argjentinas, por origjina e tij lidhet edhe me Arabinë, ish-Jugosllavinë dhe Kilin. Madje, Mohamed është emri i tij i parë. Por, punonjësit e zyrës civile në Argjentinë menduan se ishte mbiemri dhe e regjistruan ashtu. Gjithë jetën e kanë thirrur “Turku”, por duke qenë se turqit janë tifozët e Deportivo La Korunjës, për të evituar çdo keqkuptim ka kërkuar ta thërrasin “Toni”.

Në sezonin e tij të parë si trajner në Spanjë, gjithçka po shkon si në përralla. Në ndeshjen e fundit, Selta mposhti 2-0 Atletikon e Madridit të një tjetër argjentinasi, Diego Pablo Simeone. Kundër Zhironës dhe përgjatë gjithë pjesës tjetër të kampionatit, Toni synon t’i befasojë të gjithë. Me historinë e tij, me stilin e lojës apo me sjelljen kur hyn në fushë dhe kur kërkon të motivojë lojtarët. Synimi është të qëndrojë në zonën e lart të renditjes, sa më tepër që të jetë e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *