Një sërë lojtarësh kanë vendosur të largohen nga klubi i Partizanit këtë verë dhe një prej tyre është edhe Rron Broja. Mesfushori shqiptar zyrtarizoi ndarjen me të kuqtë dhe tashmë është vënë në kërkim të një skuadre të re për të vazhduar karrierën e tij.
Ofertat në drejtim të tij nuk kanë munguar, por duket se nuk kanë bindur futbollistin 25-vjeçar për të thënë “po”. Sipas asaj që raporton “Indeksonline”, Rron Broja ka refuzuar ofertën e ekipit të Glentoran, i cili luan në kampionatin e Irlandës së Veriut. Paga mujore e mesfushorit shkonte në 7-8 mijë euro, por kampionati nuk ka bindur lojtarin të përgjigjet pozitivisht, duke kërkuar një ligë më të fortë në karrierë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/