Liverpuli ka kompletuar blerjen e mbrojtësit Virxhil van Dijk nga Sauthemptoni, duke mbyllur gjithçka për 75 milionë sterlina, thuajse 85 milionë euro. Është një rekord botëror për një mbrojtës.
Për Liverpulin afrimi i një mbrojtësi ishte bërë emergjencë, sepse këtë sezon sulmi ka bërë mrekulli, ndërsa mbrojtja është bërë qesharake.
Që në verë Liverpuli ofroi deri në 60 milionë sterlina, por Sauthemptoni refuzoi me një kokëfortësi të pabesueshme dhe paditi Liverpulin për bisedime të paligjshme me lojtarin. Megjithatë, tani Sauthemptoni është shpërblyer, sepse ka marrë një shifër të frikshme.
Në garë për Van Dijk ishte edhe Mançester Siti, por në fund vendosi vetë mbrojtësi, i cili prej kohësh i kishte dhënë fjalën Liverpulit, edhe pse nuk krijoi probleme në verë, kur marrëveshja nuk u kompletua.
Në vitin 2015 Sauthemptoni e bleu holandezin 26-vjeçar nga Seltiku për 15 milionë euro, ndërsa tani regjistron biznesin e shekullit, duke shitur sërish një lojtar për shifra të frikshme dhe sërish te Liverpuli, që ka vite që blen çdo lojtar që spikat te Sauthemptoni.