UEFA ka përcaktuar ditën e sotme kalendarin që do të ndiqet për raundin e parë kualifikues të Europa League. Në këtë kompeticion marrin pjesë 3 klube të Kategorisë Superiore, të cilat janë njohur tashmë edhe me orën kur do të zbresin në fushë për të tentuar kalimin në raundin pasardhës.
Rrugëtimi do të nisë për të gjitha në datën 27 gusht, me ndryshimin e vetëm orarin kur do të përballen me kundërshtarët. Të parët që do të nisin aventurën e tyre në Europa League janë lojtarët e Teutës, të cilët në orën 16:30 presin në ”Niko Dovana” izraelitët e Beitar Jeruzalem.
Ndërkohë më pas Laçi udhëton drejt Azerbajxhanit, ku në orën 19:00 sfidon vendasit e Keslas në kryeqytetin Baku. Në mbrëmje, vetëm 1 orë më vonë, zbret në “Air Albania“ edhe Kukësi, që do të luajë një duel të vështirë me Slavian e Sofies. Megjithatë në kampion verilindor kanë besim se do të kalojnë në raundin e dytë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/