Pas dritës jeshile të klubeve të kampionatit shqiptar për t’u stërvitur në fushën e lojës vjen edhe aprovimi për futbollin në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar ditën e sotme nëpërmjet zëdhënësit të tyre, Faik Hoti, se nga dita e sotme të gjitha klubet mund të nisin stëritjet. Pra të gjitha skuadrat shqiptare mund të fillojnë stërvitjen në të njëjtën ditë, si ato në Shqipëri ashtu edhe ato në Kosovë. Hoti ka bërë me dije se deri në datën 1 qershor nuk do të lejohet zhvillimi i ndeshjeve, ndërsa kampionati mund të fillojë pas kësaj periudhe.
Ndërkohë që si në të gjithë vendet e tjera edhe klubet e kampionatit kosovar duhet të respektojnë masat e rrepta të sigurisë gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Një lajm tejet pozitiv ky, që sjell shpresë për të gjithë se e keqja tashmë kaloi dhe po vjen momenti që pak e nga pak t’i kthehemi jetës sonë të përditshme, por duke u kujdesur edhe për rregullat që duhen ndjekur në frenimin e kësaj pandemie./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i plotë:
Me që IKSHPK dhe Zyra e OBSh-së në Kosovë kanë konstatuar se situata epidemiologjike në Kosovë konsiderohet me risk të reduktuar krahasuar me situatën paraprake, Ministria e Shëndetësisë ke lejuar mbajtjen e aktiviteteve stërvitore për Federatën e Futbollit të Kosovës, përkatësisht për klubet futbollistike në vend.
Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtueshmëri me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis FFK-së, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e Përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.
Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike.
Gjatë zhvillimit të aktiviteteve stërvitore, pjesëmarrësit në to duhet t’i zbatojnë masat mbrojtëse, të ruajnë distancën fizike dhe të mbajnë higjienën sipas kushteve të përcaktuara në Udhëzues.
FFK do ta ndaj udhëzuesin me klubet futbollistike dhe do t’u jap atyre instruksione shtesë lidhur me mbarëvajtjen e stërvitjeve.