Klubi i Bylisit ka zyrtarizuar ditën e sotme përforcimin më të ri për sezonin që ende vijon të mbetet pezull për shkak të mos përmbushjes së kërkesave të klubeve nga ana e Qeverisë. Pak ditë më parë fitoi edhe gjyqin me Luftëtarin, të cilit i dha edhe lamtumirën, ndërsa sot ka hedhur firmën në kontratë për të paktën 1 vit me mallakastriotët.
Gresild Lika është goditja e Bylisit këtë merkato. Talenti 22-vjeçar ka bërë përshtypje në fushë me fanellën e gjirokastritëve, ku nuk kanë munguar edhe eurogolat, që ballshiotët i theksojnë në njoftimin e tyre në faqen zyrtare. Por kjo nuk pritet të jetë e vetmja surprizë nga Bylisi, teksa klubi premton se të tilla do të pasojnë edhe në vijim.
“Gresild Lika, një nga lojtarët e spikatur në Superiore në sezonin e shkuar, mjeshtri i eurogolave zyrtarizohet si pjesë e Bylisit për sezonin në vijim dhe jo vetëm. Lika është një element me shumë perspektiv, i cili e rrit edhe më shumë forcën e grupit tonë.
Presidenti Besnik Kapllanaj, pasi ka gjetur akordin e prezanton Likën, si një nga afrimet cilësore në skuadrën tonë. I urojmë mirëseardhjen Likës dhe suksese me fanelën e skuadrës sonë të zemrës! Merkato vazhdon plot surpriza…”, njofton klubi i Bylisit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/