Kukësi ka bërë një merkato cilësore këtë muaj, ndërsa sot ka prezantuar goditjen e radhës. Pas Shkurtajt, Mustës dhe Gligorovi, Jorgo Pëllumbi është lojtari i radhës që do të vihet nën urdhërat e Diego Longos. Kapiteni i Kombëtares shqiptare U21 vjen në formë huazimi nga klubi i elitës kroate, Varazdin.
“Futboll Klub Kukesi njofton se mbrojtësi Jorgo Pëllumbi është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Mbrojtësi 21-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin një kontratë huazimi nga klubi i Varazdin deri në fund të sezonit, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër.
Mbrojtësi i Kombëtares U21 rikthehet në kampionatin tonë pas një aventure në Kroaci, duke u vënë menjëherë në dispozicion të skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Pëllumbi e njeh mirë kampionatin tonë pasi ishte mbrojtësi i Skënderbeut para transferimit në kampionatin kroat. Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje mbrojtësit dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Mirësevjen Jorgo“, shkruan Kukësi në faqen e vetë zyrtare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/