Lajmi i publikuar dje nga Sky Sport në Itali, rreth ndryshimeve në stafin drejtues të kombëtares shqiptare, është konfirmuar zyrtarisht sot nga Federata Shqiptare e Futbollit.
FSHF ka zyrtarizuar Marko Kasetin në postin e zv.trajnerit të ekipit kombëtar të futbollit. Trajneri i përfaqësueses Kristian Panuçi ka zgjedhur ta afrojë ish-mbrojtësin e njohur të Serisë A (për shumë vite te Roma, edhe me Panuçin si shok skuadre) si ndihmës në stafin e tij, në vend të Paolo Rodolfit.
Kaseti ka lindur në Breshia dhe ka qenë lojtar i kombëtares italiane në periudhën 2005-2008. Gjatë karrierës së tij ai është aktivizuar me skuadra si Roma, Verona, Udineze, Leçe e Uotford. Tashmë ai është përzgjedhur nga mister Panuçi në pozicionin e ndihmës trajnerit.
Ndërkaq, ndihmësi i deritanishëm i Panuçit, Paolo Rodolfi, do të vazhdojë të jetë në stafin e skuadrës kombëtare si observator për skuadrën dhe vetë teknikun.