Ballkani ka arritur një sukses historik këtë verë, duke siguruar kualifikimin për të parën herë në një kompeticion të UEFA-s. Skuadra nga Suhareka do të jetë pjesë e grupeve të Ligës së Konferencës dhe kjo ka shtyrë klubin të rrisë cilësinë në ekip. Ilir Daja merr dhuratën e parë nga klubi, teksa Veton Tusha ka firmosur për 3 vite me Ballkanin. Lojtari 19-vjeçar ka luajtur më parë me Denizlisporin në elitën e Turqisë, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Temalicës në Poloni.
“Ju njoftojmë se mesfushori 19-vjeçar, Veton Tusha, është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Tusha ka firmosur me klubin tonë për 3 sezonet e ardhshme, duke u bërë në këtë mënyrë futbollisti më i ri i skuadrës sonë. Tusha ka qenë pjesë e ekipit Denizlispor, i cili në atë kohë garonte në Supërligën e Turqisë dhe së fundmi ishte pjesë e klubit polak Termalica. Vlen të ceket se Veton Tusha është pjesë e Kombëtarës Kosova U21! Klubi i Ballkanit i uron mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën e klubit tone”, njofton klubi i Ballkanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/