Një histori e vërtetë suksesi është ajo e Ilir Dajës me Ballkanin. Skuadra nga Theranda ka fituar dy tituj kampionë radhazi dhe ka arritur dy kualifikime të njëpasnjëshme në grupet e Ligës së Konferencës nën drejtimin e trajnerit kryeqytetas. Daja i ka ngritur në majat e futbollit dhe për këtë arsye Ballkani ka vendosur ta “blindojë” në pankinë deri në vitin 2026.
Klubi nga Kosova ka njoftuar sot përmes faqes zyrtare në “Facebook” se palët kanë arritur marrëveshjen për të zgjatur bashkëpunimin edhe për 2 sezonet e ardhshme. Pavarësisht formës jo të mirë të skuadrës në javët e fundit, drejtuesit e klubit tregojnë besimin e palëkundur për Ilir Dajën.
“Ne ia kemi besuar dirigjencën e “simfonisë” tonë. Ai me “orkestren” e tij, kompozoi perla të pavdekshme, të cilat tashmë janë gdhendur në partiturat e historisë. Ne i kemi besuar të na prijë betejave. Ai me “kalorësit” e tij, ngriti fronin e lavdisë! Andaj ai padyshim që mbetet njëri prej nesh.
Zonja dhe zotërinj, tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar, Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026. Bashkë kemi nisur t’i shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë! Na priftë e mbara”, ka njoftuar klubi Ballkani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/