Partizani i ka dhënë fund marrëveshjes me Ergys Kaçen. Lojtari 28-vjeçar erdhi në “Abissnet Superiore” me një bujë të madhe si një ish-lojtar i Kombëtares kuqezi. Me eksperiencën e tij mesfushori shihej si një përforcim luksi për “demat e kuq” dhe pritej të bënte diferencën në kampionatin tonë.
Por aventura e tij me kryeqytetasit zgjati vetëm pak mua, teksa sot Partizani ka zyrtarizuar ndërprerjen e kontratës mes palëve. Është vetë klubi që ka njoftuar në faqen zyrtare në “Facebook” për largimin e Ergys Kaçes, të cilin e përcjell pa falenderime, ndryshe nga ndarjet e mëparshme.
“FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me lojtarin Ergys Kaçe. Mesfushori 28 vjeçar dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre”, shkruhet në njoftimin e klubit të Partizanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/