Vetëm gjysmë-sezoni zgjat aventuara e Bedri Grecës te Laçi. Sulmuesi iu bashkua kurbinasve pasi u largua nga Gjilani. Një sezon i mirë ky për 29-vjeçarin, që ka numëruar 18 paraqitje në Superiore ku ka shënuar një gol dhe ka dhuruar 4 asist. E megjithatë ka zgjedhur që të ardhmen e tij ta kalojë sërish në Kosovë, ku ka hedhur firmën për klubin e Feronikelit.
“Pozita natyrale e tij është si anësor sulmi, përkatësisht anësor i djathtë, por i aftë të luajë edhe si qendërsulmues por edhe anësor i majtë. I përshtatëshëm, i gjithanshëm edhe i gatshëm për të tre pozitat e sulmit. Bedri Greca është i lindur më 23 tetor 1990, në Tiranë, i gjatë 1,93 dhe këmba e tij e preferuar është e djathta.
I njohur për depërtimet e tij dhe harkimet e sakta në zonë, Greca pritet të jetë “armë” tejet e fuqishme për klubin, sidomos për repartin ofanziv. Bedri Greca shumicën e karrierës së tij e ka kaluar në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, përkatësisht në skuadra si: KF Flamurtari, KF Kukësi, KF Tirana. Ai kishte një avanturë tjetër në Kosovë para ardhjes te FC Feronikeli, ku gjatë vitit 2019 ju bashkua SC Gjilanit.
Greca është prezantuar sot në ambientet e FC Feronikelit, nga zëvendës Presidenti i klubit, Ragip Veseli dhe nga Drejtori i Përgjithshëm, Artan Berisha. FC Feronikeli do të ketë edhe prurje të reja gjatë ditës”, njofton Feronikeli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/