Dinamo ka prezantuar sot përmes faqes zyrtare në “Facebook” dy afrimet më të reja në skuadër. 18 herë kampionët e Shqipërisë kanë arritur marrëveshjen me portierin Edmir Sali, i cili sezonin e shkuar mbrojti katërkëndëshin e Kastriotit, duke zhvilluar një sezon pozitiv në aspektin personal.
“Edmir Sali është zyrtarisht Dinamovit! Ditën e sotme në prani të presidentit Bardhi, portieri vlonjat firmosi kontratën e re që e bën pjesë të bluve të kryeqytetit në sezonin e ri. 25-vjeçari më herët ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe Laçit ndërsa në dy sezonet e fundit ka mbrojtur portën e Kastriotit”, ka njoftuar klubi Dinamo.
Gjithashtu, nëndetësija blu ka prezantuar edhe ish-mesfushorin e Bylisit. “Lorran Quintanilha vishet Blu! Mesfushori brazilian e ka zhvilluar karrierën e tij në vendlindje ndërsa prej sezonit 2020/21 ishte pjesë e ekipit të Bylis. Klubi blu i uron suksese me eksperiencën e tij të re si pjesë e 18 herë kampionëve të vendit, ka bërë me dije klubi Dinamo./Sport Ekspres/