Julian Nagelsmani nuk është më trajneri i Bajernit të Mynihut. Ashtu siç u përfol një ditë më parë, gjermani është shkarkuar zyrtarisht ditën e sotme. Megjithëse gjendet në garë për të fituar çdo kompeticion këtë sezon, Bajerni ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me të. Gara në Bundesligë këtë sezon është fortë dhe me sa duket në Mynih nuk janë mësuar të kenë rivalë për titullin kampion.
Përmes faqes së vetë zyrtare, klubi bavarez ka njoftuar ndërprerjen e bashkëpunimit me Nagelsmanin, si dhe ka emëruar edhe timonierin e ri të ekipit. Stoli i trajnerit i është besuar Tomas Tuhelit, i cili ka firmosur një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025. Prezantimi për mediat do të zhvillohet nesër në orën 12:00, ndërsa të hënën nis edhe stërvitja e parë me ekipin. Ndërkohë, ndeshja e parë e Tuhelit në drejtimin e Bajernit do të jetë kundër ish-skuadrës së tij, Borusias së Dortmundit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/