Zyrtare: Akti final i “Superclasico”-s luhet në Europë

Lajmi qarkulloi pothuajse gjatë gjithë ditës së enjte, por tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi. CONMEBOL njoftoi se finalja e kthimit në Kupën Libertadores, ndërmjet River Plejt dhe Boka Zhunjors do të luhet në stadiumin “Santiago Bernabeu”, të dielën e 9 dhjetorit, duke nisur prej orës 20:30.

Komisioni i Disiplinës i dha “dritën jeshile” zhvillimit të “Superclasico”-s në Madrid, duke bërë që kryeqyteti spanjoll të presë duelin më emocionues dhe përballjen e cila ka nxitur interesin e jashtëzakonshëm gtë tifozëve nga e gjithë bota.

Nëntëdhjetë minutat e kthimit të finales, të parashikuara në stadiumin “Monumental” u pezulluan, për shkak të agresionit të tifozëve të River Plejtit, ndaj autobusit që po transportonte drejt stadiumit ekipin e Boka Zhunjors. Prej gurëve të hedhur, dy futbollistë të ekipit përfunduan në spital, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës vuajti pasoja shëndetësore prej gazit lotsjellës, pa harruar këtu edhe traumën psikologjike.

Përveç dënimit të fushës, për dy ndeshje pa tifozë në Kupën Libertadores, skuadra e Riverit u gjobit edhe me 400 mijë euro, për mangësitë e shfaqura në organizimin e ndeshjes dhe mungesën e sigurisë. Ky vendim bën që dy finalet e trofeve më të rëndësishëm në rang klubesh të luhen në Madrid. Përpos finales së Kupës Libertadores më 9 dhjetor në “Bernabeu”, më 1 qershor 2019, stadiumi i Atletikos, “Vanda Metropolitano” do të presë finalen e Champions League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *