Zllatan Ibrahimoviç ka lënë prej dy ditësh Suedinë për t’ju bashkuar sërish Milanit. Sulmuesi i kuqezinjve duhet të ndjekë rregullat e vendosura nga shteti Italian për të respektuar karantinën 14 ditore pas kthimit në Milano. Megjithatë pasi i është nënshtruar testit për Koronavirus, Ibra ka rezultuar dy herë negative dhe pjesa e izolimit ndoshta nuk do të jetë më e nevojshme për shtatlartin suedez.
Por ky i fundit edhe pse jo aktiv në fushën e lojës, ka qenë i tillë në rrjetet sociale. Postimet e tij kanë qenë të shpeshta këto ditë dhe enigmatike në të njëjtën kohë, duke bërë që shumë të mendojnë për mesazhe të koduara nga ana e tij. Ndërkohë ditën e sotme ka rimarrë sërsish vëmendjen, por këtë herë tërësisht në stilin e tij. “Zoti është kthyer sërish dhe kujdeset për ju”, shkruan Ibrahimoviç në “Instagramin” e tij, ndërsa ka shpërndarë edhe një foto nga ku sheh qytetin e Milanos prej ballkonit të banesës së tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/