I nderuar nga kombëtarja suedeze në Stokholm, para ndeshjes së djeshme miqësore me Serbinë, Zlatan Ibrahimoviç nuk ka dyshim se kush ishte futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Ish-futbollisti, i cili shënoi 62 gola në 122 ndeshje për Suedinë, nuk ishte aspak modest kur fliste për karrierën e tij. Si gjithmonë, suedezi e vendosi veten të parin.
“25 vjet më parë thashë se do të isha më i miri i të gjitha kohërave dhe shumë njerëz qeshën. 25 vjet më vonë mund të jem këtu dhe të them se jam më i miri i të gjitha kohërave,” tha ish-sulmuesi 42-vjeçar, i cili luajti për Malmo, Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, ??Milan, PSG, Manchester United dhe Los Angeles Galaxy.
Pas kësaj ai u la një mesazh të rinjve: “Dua t’ju them, guxoni të ëndërroni larg. Nëse nuk keni forcë për ëndrrat e mëdha, mbështetuni në rrugëtimin tim dhe nxirrni forcë prej andej. Unë jam provë e gjallë se asgjë nuk është e pamundur, shpresoj të keni shijuar rrugëtimin tim”, ka thënë ish-futbollisti. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/