Ditët e fundit, Niko Zisi një nga “xhevahirët” e skuadrës së Bylisit është kthyer në njeriun-merktao, pasi kërkohet nga shumë skuadra të Kategorisë së Parë, por edhe Superiorja. Madje, së fundmi kanë qarkulluar në media edhe oferta në distancë nga ana e Tiranës. Mirëpo, klubi ballshiot reagon dhe e quan aspak profesionale një gjë të tillë, e duke thënë: “Tirana dhe çdo skuadër tjetër ta harrojnë Zisin. Lojtari ka një kontratë të rregullt në klubin tonë dhe për ta bërë të vetin, duhet që të trokasin te Bylisi ashtu si edhe u ka hije apo ashtu si veprojmë edhe ne kur duam lojtarë në ekipe të tjera, brenda e jashtë vendit. Por, Tirana dhe asnjë klub tjetër nuk mund ta bëjnë dot të vetin, pasi nuk kanë aq para sa të blejnë kartonin e Niko Zisit. Madje, Tirana bën mirë që të shikojë problemet financiare, sepse nuk janë aq të aftë sa të blejnë lojtarin tonë më të mirë, i cili është një nga mesfushorët me tipare sulmuese më të mirë në Shqipëri. Kështu që ta harrojnë Zisin dhe çdo lojtar tjetër të Bylisit. Do të ishte e hijshme, që çdo klub që kërkon shërbimet e lojtarëve tanë, të cilët janë nën kontratë të na kontaktojnë neve”, – ka qenë reagimi i ballshiotëve.