Trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidan, foli për mediat pas fitores në Mynih kundër Bayernit. Francezi ka vlerësuar gjithë ekipin, por ka veçuar Lukas dhe sidomos Asensio.
Ndeshja: “Vuajtëm, por në fund morëm rezultat të rëndësishëm. Duhet të vuash në ndeshje të tilla, nuk mund të luash ndeshje në Champions pa vuajtje. E paguam duke humbur Iskon në pushim, por në këmbim u fut Asensio dhe bëri diferencën. Jam i kënaqur me të gjithë, ndonjëherë duhet të dish të vuash pa e pasur topin dhe ne e bëmë”.
Isko u dëmtua: “Nuk ndihej mirë që në fillim, shpresoj që të mos mungojë gjatë”.
Karvahal: “Edhe ai është dëmtuar, por ai beson se nuk është ndonjë gjë serioze. Të presim rezonancën”.
Asensio fenomen: “Po, është i pabesueshëm, por nuk është ndonjë gjë e re. Ai bën diferencën, ka shpejtësi, di të shënojë, ka pak nga të gjitha”.
Lukas: “Luajti një ndeshje të madhe, duke punuar jashtëzakonisht për të kontrolluar Riberinë”.