Nëse mendoni se për tifozët italianë, futbolli është thjesht një sport e keni shumë gabim! Ultrasit e çdo skuadre e quajnë tradhëti kalimin e një lojtari kryesor tek rivalët. Më parë kishte ndodhur me Gonzalo Higuain kur vendosi të lërë Napolin për Juventusin, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Frederiko Kiezën, i cili la Fiorentinën për bardhezinjtë.
Disa tifozë kanë kaluar kufirin duke e kërcënuar familjen e tij, pikërisht vëllain e vogël. Kur një gazetar e pyeti Frederikon në konferencën e parë për shtyp si lojtar i “zonjës së vjetër”, se çfarë mendonte për kërcënimet me jetë ndaj rrethit të tij familjar, ai u shpreh se këto mesazhe vijnë nga njerëz që kanë profile të rreme që e përdorin median sociale vetëm për të ofenduar.
“Nuk kam si t’i komentoj kërcënimet ndaj vëllait tim. Ato nuk janë bërë nga njerëz që ndjekin futbollin, as nga tifozët, por nga persona me adresa të rreme në rrjete sociale që e përdorin median sociale vetëm për të ofenduar. Nuk i mendoj fare, jam fokusuar tek momenti im me Juventusin”,- u shpreh Frederiko Kieza./Elio Hajdari-Sport Ekspres/