Zhgënjen Dortmundi, bojkotojnë tifozët

Barazimi dëshpërues kundër Augbsurgut, që luajti një ndeshje mjaft të mirë. E hëna në mbrëmje tërbon ultrasit e verdhë, që braktisin stadiumin

Borusia e Dortmundit ka humbur një shans të artë për të përforcuar pozitat në vendin e dytë në renditje, sepse Augsburgu e ndali mbrëmë te barazimi 1-1 në Signal Iduna Park, duke shmangur fitoren e katërt rresht për skuadrën e drejtuar nga austriaku Peter Shtëger. Ky i fundit nuk ka pësuar ende humbje në 9 ndeshje që prej emërimit të tij në mesin e muajit dhjetor, por natyrisht zhgënjimi për barazimin e djeshëm është i madh.

ROJS NUK NDALET – Lajmi i mirë për Dortmundin është kthimi i Mark Rojsit në nivele të larta. Sulmuesi shënoi në minutën e 16-të, pas një aksioni të bukur, duke gjetur golin për të dytën ndeshje rresht në kampionat. Shtatë gola në 9 ndeshjet e fundit në Bundesligë për talentin gjerman, i cili është kthyer pas një dëmtimi të gjatë dhe pak nga pak po gjen nivelin e vet optimal. Gjithsesi, furtuna e Dortmundit u ndal aty, sepse Augsburgu nuk u shqetësua shumë nga goli i pësuar dhe nisi të krijonte lojë e raste.

BEFASIA E AUGSBURGUT – Në 8 përballjet e shkuara kundër Dortmundit Augsburgu kishte shënuar gjithnjë, ndaj nuk kishte arsye pse të mos shpresonte edhe mbrëmë. Ndonëse Dortmundi ishte favorit i madh, në fushë nuk u panë diferenca të rëndësishme dhe pak nga pak miqtë e rritën presionin. Për pasojë, kur Danso barazoi në minutën e 73-të, me një goditje të saktë me kokë brenda zone, pakkush u befasua realisht, sepse në pjesën e dytë Dortmundi e uli gradualisht ritmin. Goli tronditi Dortmundin, që nuk është se krijoi ndonjë rast për shënim, ndërsa Augsburgu e meritoi plotësisht pikën e marrë.

TIFOZËT NË PROTESTË – U luajt në një atmosferë aspak normale: vetëm 54300 tifozë, shumë pak për Dortmundin. Arsyeja? Për herë të parë në 28 vitet e fundit Dortmundi luajti ditën e hënë dhe vendimi i Federatës Gjermane për të luajtur edhe të hënave ka tërbuar tifozët ultras anembanë Gjermanisë. Për të ardhur keq, “Muri i Verdhë” ishte bosh, si kurrë më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *