Ngërçi mes FSHF-së dhe kompanisë “Digitalb“ erdhi drejt një zgjidhjeje të përkoshme ditën e sotme. Të gjitha ndeshjes e luajtura sot do të transmetohen si zakonisht në “Supersport“, duke qenë se kompania televizive ka shlyer një pjesë të detyrimeve të prapambetura ndaj Federatës. FSHF nëpërmjet një njoftimi për shtyp bën me dije se të dyja palët kanë negociuar këto ditë për të ardhur në këtë vendim.
Megjithatë zgjidhja e arritur është e përkohshme. Kjo pasi Federata paralajmëron “Digitalb” se në rast se nuk do të paguajë këstin e radhës brenda kësaj jave, atëherë skenari i kësaj fundjave do të përsëritet dhe platforma televizive do të humbasë sërish të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Superiores./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit i bën me dije opinionit publik se 4 ndeshjet e vlefshme javës së 29-të të Kategorisë Superiore të programuara për t’u luajtur sot do të transmetohen në platformën televizive të shoqërisë “Digitalb”.
Më konkretisht, ndeshjet KF Vllaznia – KF Bylis (ora 17:00), FK Kukësi – Flamurtari FC (ora 17:00), KF Skënderbeu – KF Laçi (ora 18:00) dhe KF Teuta – KF Tirana (ora 20:00) do të mund të ndiqen nga të gjithë sportdashësit në platformën e “Digitalb”.
FSHF ka negociuar gjatë kësaj kohe me subjektin e licencuar për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe përmbushjen e detyrimeve financiare për të drejtën e transmetimit të ndeshjeve të Kategorisë Superiore.
Pas diskutimeve të vazhdueshme shoqëria “Digitalb” ka vendosur të paguajë një pjesë të detyrimeve që ka ndaj FSHF-së sipas kontratës, duke zhbllokuar përkohësisht ngërçin.
Ndërkohë, që ky ngërç të zgjidhet përfundimisht shoqëria duhet të shlyejë këstin e radhës brenda javës sipas marrëveshjes së dakordësuar.
Në të kundërt situata e së dielës mund të përsëritet.
FSHF siguron edhe një herë të gjithë sportdashësit se ka punuar dhe do të punojë për të mirën e futbollit shqiptar, që sportdashësit të mos humbasin për asnjë çast mundësinë për të ndjekur ndeshjet e skuadrave të tyre të zemrës edhe në kushtet e imponuara nga pandemia COVID-19.