Një peng i madh do të jetë për Myrto Uzunin ai Europian i Gjermanisë. Shqipëria nuk shkon shpesh në kompeticionet madhore dhe padyshim që ai rast i humbur në Gjermani mund të jetë pengu më i madh i karrierës për Uzunin nëse Shqipëria nuk arrin një tjetër kualifikim historik me të në Kombëtare. Silvinjo nuk zgjodhi që ta merrte me vete, ndërsa babai i lojtarit, Artan Uzuni, ka treguar dramën e madhe dhe mënyrën sesi është përjetuar e gjitha kjo në Ora Sport.
“Kjo e Europianit e vrau, vërtetë e vrau, na vrau të gjithëve. Kombëtarja është e shqiptarëve dhe kështu do jetë gjithë jetën, edhe nëse është apo jo Myrto. Unë si baba do të doja të ishte. Kur nuk u thirr Myrtua, unë i kam thënë që do zgjedhësh mes meje dhe Silvinjos. I thashë zgjidh Silvinjon nëse mendon se të bëri Silvinjo futbollist dhe më zgjidh mua nëse mendon se të bëra unë futbollist. I thashë të mos shkonte më te Kombëtarja. Por Myrtua më tha, babi unë të dua ty shumë, por KOMBI MBI GJITHÇKA”, u shpreh Artani. /Sport Ekspres/