Pyetja e madhe e momentit: A do të rikandidojë Armand Duka për kreun e FSHF-së?
Në mikrofonin e gazetares Vilma Masha në Supersport, Armand Duka ka folur për tema të shumta, por natyrisht kryesorja është ajo në lidhje me zgjedhjet e ardhshme në Federatë dhe Duka nuk ka ndërmend të dorëzohet përballë presionit që vjen nga disa klube.
“Përpara se të marr këtë vendim, do të konsultohem me premtimet që kam dhënë katër vjet më parë. Nëse i kam realizuar, do të mendoj projektet për të ardhmen dhe do të diskutoj me anëtarët e federatës, pra me të zotët e shtëpisë. Nëse ato do të jenë dakord me atë që kam bërë dhe dua të bëj pranohen, patjetër që do të rikandidoj”.
Duhet një përgjigje më e sinqertë…
Përderisa nuk është përcaktuar dita e zgjedhjeve, është koha e barabartë për të tërë për të startuar. Uroj që të ketë sa më shumë alternativa, pasi aq më mirë do të jetë, pavarësisht se kush do të fitojë.
Opinioni thotë që një nga kundërshtarët është Bashkim Fino. Ju thatë se nëse e bën, le ta bëjë nga zyra e PS-së…
Kushdo që të jetë janë kandidatë dhe alternativa, jo kundërshtarë. U shprehët gabim. Jemi në sport, mos na bëni me armiqësira. Jemi në luftë alternativash. Për kandidatin aktual (Fino), kam njohje personale, kemi bërë shkollën bashkë. E kam respektuar periudhën e tij si kryeministër në moment të vështirë. Nëse Partia e lejon, le ta bëjë. Është nismë private apo e mbështetur. Kur të vijë koha, sigurisht.
Pse duhet t’iu votojnë anëtarët dhe a nuk mendoni se në gjithë këto 15 vite jeni konsumuar?
Jam mbushur me eksperiencë. Nëse dikur më duhej 1 orë për të vendosur, tani më duhet 1 minutë. Këto 15 vite më duken eksperiencë. Anëtarët të mos më votojnë, nëse nuk bien dakord me faktin që nuk kam mbajtur premtimet që kam dhënë dhe nëse nuk i kam realizuar ose jo.
Nëse do të vinte dita të thonit “mjaft”…
Vetëm Zoti do ta bëjë. Ai që ndjen që mund të japi duhet të vazhdojë të japi, me përkushtim, maksimumin dhe ndërgjegjen. Mjaft të thotë vetëm Zoti kur të ndërpret jetën.
Nuk ka asnjë kandidat që ta bëjë?
Mjaft thotë Zoti kur ta merr jetën.