72 orë për trajnerin e Kukësit, Kozniku i preferuari i Gjicit

0

Gjici shqyrton shumë alternativa, bie poshtë pista e Albert Bunjakit. Në “pole position” duket Ardian Kozniku, por dhe Klodian Duro ka mundësi rikthimi

Jurgen Zela

Në kërkim të një trajneri. Te Kukësi tashmë kanë vetëm një mision të gjejnë timonierin e ri që do të marrë përsipër të shpëtojë sezonin. Nëse skuadra ka marrë pushimet, drejtuesit e Kukësit po shqyrtojnë CV pa fund. Presidenti Safet Gjici ka në tavolinën e tij shumë mundësi për të shqyrtuar teksa gjatë gjithë ditës i propozohen emra të trajnerësh shqiptar dhe të huaj. Në rastin e Mlladen Milinkoviç kampionët shpenzuan shumë ndaj do të tregohen të kujdesshëm që të evitojnë harxhime të pasuksesshme. Nga ish-trajneri Duro te tekniku i Kosovës Albert Bunjaki, Kukësi ka shumë mundësi zgjedhje.

Një alternativë ka qenë ajo e ish-trajnerit të Kosovës, Albert Bunjakit, i cili po ashtu është marrë në konsideratë nga ana e numrit një të klubit, por në fund edhe kjo mundësi ka rënë poshtë.

“Sport Ekspres” mëson se gjithçka do të vendoset deri të mërkurën. Koha në dispozicion është e vogël, pasi tekniku i ri duhet të mendojë menjëherë për organikën e skuadrës, sepse përgatitjet nisin më 4 janar.

KOZNIKU DHE DURO

Burime të besueshme të gazetës bëjnë me dije se presidenti Safet Gjici  ka një simpati për tregun kosovar dhe mundësia që trajneri i ri të jetë nga Kosova është mjaft e madhe. Gazeta mëson dhe emrin që ka simpatinë e drejtuesve të Kukësit. Bëhet fjalë për një emër të njohur si Ardian Kozniku. 50-vjeçari, i cili ka lindur në Gjakovë, ka qenë pjesë e përfaqësueses së Kroacisë dhe është një emër i mirënjohur në futbollin kroat. Gjakovari ka veshur më parë dhe fanellën e disa skuadrave të njohur në Kroaci, Francë, Austri dhe Qipro.

Mund të përmendim këtu skuadra si Dinamo e Zagrebit, APOEL apo dhe Hajduku i Splitit. Ish-sulmuesi ka luajtur 7 ndeshje me fanellën e Kroacisë dhe ka shënuar dhe 2 gol. Si trajner ka drejtuar vetëm skuadrën e Shkëndijës, saktësisht në sezonin 2014-2015. Një trajner që përmbush dhe dëshirën e Gjicit për të promovuar trajnerë të rinj. Deri të mërkurën Kukësi do e ketë zgjidhur çështjen e stolit, por Kozniku duket se për momentin është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kampionëve. Mësohet se në horizontin e Kukësit është dhe ish-trajneri Klodian Duro, i cili ka pasur sukses në radhët e verilindorëve, kjo pasi ka fituar trofeun e parë të rëndësishëm, Kupën e Shqipërisë. Ish-lojtari i Kombëtares mund të rikthehet në kampion verilindor dhe kjo gjë është tashmë në dorën e presidentit të Kukësit. Gjithsesi mbetet për t’u parë, pasi ende asgjë nuk është vendosur përfundimisht.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.